Aktuale

Qeveria: Drejtësia fitoi mbi përpjekjet manipuluese të Serbisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka përshëndetur vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Qeveria nëpërmjet një komunikate ka thënë se duke vlerësuar se fletarrestet serbe mbi bazën e të cilave është ndaluar Haradinaj, janë të paligjshme dhe të padrejta, Qeveria e Kosovës konsideron se vendimi i Gjykatës Franceze është konfirmim se e drejta është në anën e Haradinaj dhe se fletarrestet serbe kundër tij dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta.

“Duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për këtë fitore të drejtësisë mbi përpjekjet manipuluese të shtetit serb, Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të mëtejshëm për të bërë çdo përpjekje për të pamundësuar forma të tilla të keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e Serbisë, në të ardhmen”, thuhe tnë komunikatë./KosovaPress/