Aktuale

Qeveria e re, LSDM-ja pret përgjigje nga Ahmeti

VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja vazhdojnë të japin sqarime të ndryshme sa i takon arsyes së dështimit të negociatave për formimin e Qeverisë së re nga ish mandatari Nikolla Gruevski.

Partia më e madhe maqedonase ka reaguar ndaj lajmit të publikuar në Alsat M, duke thënë se ajo nuk ka pranuar platformën e përbashkët të partive shqiptare. Më tej, VMRO-ja ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale nuk ka qenë tema e cila është bërë shkak për dështimin e negociatave.

Në shumë raste potencuam se PSP-ja nuk ka qenë problem në bisedimet me BDI-në për formimin e Qeverisë. Në periudhën e kaluar nëpërmjet intervistave, deklaratave dhe komunikatave njoftuam se me BDI-në në fillim u konstatuan pozita të ndryshme sa i takon PSP-së… Mbi 95% të kohës së bisedimeve ju kushtua debatit rreth kërkesës së BDI-së për zbatimin e dygjuhësisë, ku ishin edhe dallimet kryesore – thonë nga VMRO-DPMNE.

Megjithatë nga BDI-ja disa herë kanë përsëritur se gjuha shqipe dhe çështjet tjera etnike, nuk kanë përçarë palët në negociata. Sipas tyre, pengesa janë hasur vetëm gjatë kërkesës së tyre për zbatimin e shtetit ligjor.

Me VMRO-DPMNE-në nuk mundëm ta kalojmë opsionin e pestë, shtetin ligjor, në të cilën hynë Pribe dhe Prokuroria Speciale Publike. Për herë të parë, në historinë e Maqedonisë së pavarur, nuk kemi asnjë dallim me LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në sa i takon çështjeve etnike – tha Bujar Osmani, zëdhënësi i BDI-së.

Mandati 20 ditor i Gruevskit për formimin e Qeverisë së re skadoi dy javë më parë. Pas dështimit të Gruevskit presidenti Ivanov deklaroi se për formimin e kabinetit të ri do ta mandatojë atë politikan i cili arrin të siguroj votat e nevojshme në Kuvend.