Aktuale

Qeveria e vendosur ta rrëzojë murin në Mitrovicë, Rakiq thotë se s’kanë mandat

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në krye me Ferat Shalën, pas miratimit të Rezolutës në Kuvendin e Kosovës për rrënimin e murit në Veriun e Mitrovicës, ua ka dërguar një shkresë administrative institucioneve në Mitrovicën e Veriut për rrënimin e këtij muri

Por, zotimet e institucioneve kosovare se muri në veriun e Mitrovicës do të rrënohet gjatë këtij muaji, nuk po i duken serioze kreut të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Ai ka thënë se muri pavarësisht rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit të kaluar, nuk do të rrënohet.

“Nuk pranojmë që ta rrënojmë murin. Potencoj se ai nuk është mur siç po flitet por është një shëtitore”, ka thënë ai. Rakiq thotë Qeveria nuk ka kompetenca për komunat.

Në një prononcim për Gazetën Express, Goran Rakiq është shprehur se shumë shpejt do të jepen zgjidhjet e reja nga ana e këtij institucioni për murin në Veri.
“Shumë shpejt do ta paraqesim zgjidhjen, e cila do të jetë e pranueshme si për mitrovicasit ashtu edhe për të gjithë qytetarët e tjerë”, ka thënë thotë Rakiq.

Sipas Rakiq Qeveria së pari duhet ta pezullojë decentralizimin e pastaj ta rrënojë murin në Veri.

“Për ta bërë këtë së pari Kuvendi duhet ta pezullojë decentralizimin dhe të sjellë ligje me të cilat do t’ua marrë kompetencat njësive të administratës lokale sepse gjërat si kjo janë në kompetenca të komunave”, ka thënë tutje kreu i komunës së Mitrovicës së Veriut.

Ndërkohë që zyrtarë nga institucionet e Kosovës thonë se muri do të rrënohet ashtu siç e parasheh dhe rezoluta.

Kontaktuar nga Express, ministri i MAPL’së, Ferat Shala, ka thënë se nëse muri nuk do të rrëzohet nga ana e krerëve të Mitrovicës së Veriut atëherë rrënimin e tij do ta bëjnë institucionet kosovare.

“Ne jemi në pritje të zbatimeve të vendimeve që pushteti lokal në pjesën e Veriut duhet t’i realizojë. Me zyrtarët e pjesës veriore janë shkëmbyer disa letra administrative, informacione. Nga kjo që kemi deri më tani nuk mund të themi se ka disponim nga pjesa veriore që të hiqet muri”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se afate të tjera për rrënimin e këtij muri nuk do të ketë përveç atij që e parasheh rezoluta e miratuar në Kuvend javë më parë.

“Për këtë çështje përveç afatit të Rezolutës për rrëzimin e murit, nuk kemi afate të tjera. Ne jemi në përcillje të situatës, dhe në kontakt ndërinstitucional me të gjitha institucionet e vendit”, ka thënë Shala për Gazetën Express.

Ndërkohë që  bindjen për shembjen e murit të ndërtuar në veriun e Mitrovicës po e shpreh edhe kryetari i pjesës jugore të kësaj komune, Agim Bahtiri.
Bahtri për Express, është shprehur se po e pret Qeverinë e Kosovës që ta bëjë rrënimin e murit.

“….fatkeqësisht në atë zonë u ndërtua muri i cili për ne befasisht ka ndodh. Ne po e presim Qeverinë e Kosovës që të ndërmarr masat për rrënimin e asaj hapësire. Edhe rezoluta e detyron Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë masa”, ka thënë kreu i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

E punimet për ndërtimin e këtij muri tashmë janë ndërprerë. Procesverbalet janë dërguar tek institucionet, janë vënë shiritat si dhe është njoftuar inspektoriati lidhur me këtë çështje.

Kujtojmë se muri në Mitrovicë është ndërtuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër. Vend ky në të cilin Bashkimi Evropian po zbaton një projekt për revitalizimin e urës dhe vënien e saj për qarkullim të rregullt pas barrikadave që ishin vendosur aty, e të cilat pengonin lirinë e lëvizjes nga jugu në veri të Mitrovicës dhe anasjelltas.

Muri në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës ka filluar të ndërtohet në fillim të dhjetorit të vitit 2016, duke ngjallur reagimin e qytetarëve dhe të politikës.
Kuvendi i Kosovës, ka miratuar një Rezolutë për çështjen e këtij muri, duke i kërkuar qeverisë që ta rrënojë atë brenda muajit janar të vitit 2017./GazetaExpress/