Aktuale

Qeveria Hoti sot hodhi poshtë opsionin e karantinimit, nuk e do as Komuna e Prishtinës ku ka 508 raste me COVID -19

Në rreth 30 lagje të Prishtinës, janë të shpërndara 508 raste pozitive me koronavirus. Kryeqyteti ka më së shumti raste aktive me COVID-19. E për vendet me më shumë raste aktive, kryeministri Avdullah Hoti, paralajmëroi se mund të vendoset masa e karantinimit. Megjithatë, këtë nuk po e sheh të arsyeshme drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, shkruan Gazeta Express

669 persona janë konfirmuar potiziv në Prishtinë, që prej shfaqejes së pandemisë COVID-19 në Kosovë.

508 persona po përballen ende me koronavirusin, 158 kanë arritur ta fitojnë betejën me këtë virus, ndërkaq 3 kanë vdekur si pasojë e infektimit.

E për qytetet të cilat kanë më shumë raste aktive, kryeministri Hoti paralajmëroi edhe masën e izolimit.

 

 

“Do të mbyllen menjëherë te gjitha institucionet ku ka raste pozitive, organet e rendit të izolojnë personat e infektuar, inspektorati sanitar do të ndërmarrë masa në përputhje me ligjin për parandalim e sëmundjeve ngjitëse, po diskutojmë për karantiminin e disa zonave ku ka shumë të infektuar, do të ndalohen tubimi i më shumë se 100 personave në hapësira të mbyllura dhe të hapura. Do të shtohet numri i inspektorëve sanitar, si dhe numri i infermierëve”, tha Hoti në një konferencë për media.

Por, kjo sipas drejtorit të Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, momentalisht nuk është e nevojshme.

“Momentalisht kemi qytetarë të infektuar në rreth 30 lagje të qytetit. Ne nuk jemi pro karantinimit dhe masave ekstreme. Megjithatë ne nuk i marrim vendimet vetë dhe e respektojmë çfarëdo vendimi apo mase që nxjerr Qeveria”, ka thënë Gashi për Express.

Gashi tregoi edhe për gjendjen e pacientëve që janë të shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së.

“Janë rreth 12 persona nga Prishtina të shtrirë në Infektivë. Gjendjen shëndetësore e kanë të mirë, jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq në një përgjigje për Express, Ministria e Shëndetësisë të martën deklaroi se deri më tani nuk ka asnjë vendim për karantinim të asnjë zone apo komune.

“Nuk ka asnjë vendim për karantinim në asnjë zonë-komunë. Nëse do të vinte te një vendim i tillë, publiku do të njoftohej përmes Qeverisë, MSH-së. Zonat ku ka më shumë vatra infeksioni dhe më shumë raste aktive do të ishin potencialisht më kandidate, por po e përsërisim deri tash nuk ka ndonjë vendim për një masë të tillë”, kanë deklaruar zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, numri total i personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 2878.

Nga këta, janë shëruar 1577 persona, ndërkaq kanë vdekur 51 persona të cilët sipas IKSHPK’së, kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.

Raste aktive me koronavirus në Kosovë janë 1250.

the authorGazetaKNN