Aktuale

Qeveria jep mbi 200 mijë euro për zgjedhjet në Drenas

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u dhanë 221 mijë e 500 euro për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në Drenas më 4 dhjetor.

Për këto mjete të ndara foli ministri i Financave Avdullah Hoti. Hoti tregoi se 221 mijë e 500 eurot janë dhënë vetëm për raundin e parë të zgjedhjeve, ndërsa ato janë siguruar nga buxheti për mjete të paparashikuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sipas Hotit kishte kërkuar 338 mijë euro duke parashikuar edhe raundin e dytë të mundshëm të këtyre zgjedhjeve, por Hoti deklaroi se ky raund nëse mbahet mund të mbahet vitin tjetër dhe nuk mund të ndahen para këtë vit për të.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas do të mbahen pasi kryetari i deritashëm i kësaj komune Nexhat Demaku dha dorëheqje nga posti që mbante, ngase atij iu konfirmua dënimi për keqtrajtim të civilëve gjatë luftës nga Gjykata e Apelit.

Përveç ndarjes së mjeteve për zgjedhjet në Drenas në mbledhjen e qeverisë u fol për Forumin për Investime dhe Tregti të mbajtur më 3 nëntor në Londër.

“Forumi ekonomik që është mbajte javën e kaluar, tubim shumë i mirë dhe i dobishëm për Kosovën. Ka pas prezencë të madhe të bizneseve dhe përfaqësues qeveritarë, sidomos nga Anglia. Ka pasur prezantim të shkëlqyer të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministyrisë së Bujqësisë dhe asaj të Industrisë,” tha Kryeministri Mustafa.

Mustafa foli edhe për takimet që u zhvilluan në Londër gjatë këtij forumi.

“Të katër ministrat kanë pas prezantim të shkëlqyer. Ne kemi pasur takim edhe me Boris Johnson, sekretar i Mbretërisë së Bashkuar për Marrëdhënie me Jashtë që me sa kemi informata do ta vizitojë Kosovën këtë javë dhe kemi pas takim edhe me drejtorin e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim,” tha Mustafa.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, njëri nga pjesëmarrësit në forumin e Londrës tregoi se për çfarë investimesh ishin interesuar më shumë britanikët.

Tha se investitorët britanikë ishin shumë të interesuar për burimeve të ripërtërishme të energjisë, miniera dhe ekonominë digjitale.