Aktuale

Qeveria miraton buxhetin për vitin 2020

Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2020.

I njëjti projektligj do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim, shkruan lajmi.net.

Për vitin 2020, të hyrat pritet të jenë mbi 2 miliardë euro, ndërkaq që kjo do  të shënoj rritje në një normë prej 7%.

“Për vitin 2020 të hyrat pritet të jenë mbi 2 miliardë euro, në krahasim me vitin paraprak ka një rritje me një normë për 7 për qind. Kjo hyrje vjen nga të hyrat tatimore”, tha ministri i Financave, Besnik Bislimi.

Lidhur me projektligjin në fjalë, ministrat e dikastereve të ndryshme dhanë edhe vërejtjet si dhe shqetësimet e tyre.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi përmendi edhe ndikimin që do ta ketë koronavirusi në ekonominë kosovare.

Ai tha se shenjat e para vërehen në ngadalësimin e furnizimit me mallra nga Kina.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami shprehu shqetësimin për punëtorët e arsimit që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ajo kërkoi që të njëjtëve mësimdhënës t’u mundësohet që të kenë pensionim të parakohshëm me pagë prej 70%.

“Duhet të shpreh një shqetësim për punëtorët e arsimit që janë në gjendje të rëndë shëndetësore. I kemi të evidentuar sipas statistikave rreth 304 persona që janë pjesë e arsimit dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Unë kërkoj nga ministritë respektive që kjo të kihet parasysh me kodin profesional, pra të njëjtëve t’u mundësohet pensionim i parakohshëm me pagë 70%”, tha Bajrami. /Lajmi.net/