Aktuale

Qeveria miraton ndryshimet buxhetore, Hoti zotohet për implementimin e Pakos së Rimëkëmbjes

Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet e propozuara për ndarjen buxhetore për vitin 2020, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në prezantimin e ndryshimeve ka thënë se sfida e pandemisë ka detyruar ndryshime dhe rishikim të buxhetit për të adresuar këtë çështje.

Sipas saj, nuk është larguar asnjë projekt fillestar dhe se kursimet do të kthehen në proceset e ardhshme buxhetore.

“Sa i përket implikimet buxhetore jam e vetëdijshme se secili prej nesh do të donim që të kemi më shumë fonde që t’ia dalim nga kjo sfidë dhe ta rimëkëmbim ekonomin. Të hyrat buxhetore në vitin 2020 në total mbi 1 miliard e 788 milionë euro presim një rënie prej 5 për qind”.

“Me kthimin e rritjes ekonomike presim që në 2021 të kemi edhe rritje te hyrave. Shpenzimet buxhetore presim që të jene 2 miliardë e 620 milionë. Deficiti i buxhetit pritet të jetë 6.5 për qind e bruto produktit vendor”, tha ajo.

Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti tha se kjo punë është bërë falë bashkëpunimit ndërministror, raporton EO.

“Unë edhe një herë ju falënderoj për bashkëpunim dhe koordinimin me ministrinë e financave. Janë marrë obligimet e nevojshme që këto çështje të adresohen me kohë. Ne marrim obligime që t’i paguajmë të gjitha faturat që janë në përputhje me ligjin”.

“Fondi 350 milionë euro që është fondi për rimëkëmbje ekonomike do të implementohet menjëherë në ditët e ardhshme në bashkëpunim me odat dhe aktorët tjerë që merren me këtë çështje”, ka thënë Hoti.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se kjo ministri nuk ka buxhet në menaxhimin e pandemisë, raporton EO.

“Kemi një minus prej 20 milionë euro për skemën pensionale dhe minus 14 milionë euro për situatën me COVID-19”, ka thënë Reçica.

the authorGazetaKNN