Aktuale

Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2018, parashihet rritje e pagave

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2018.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj tha se është bërë një punë e vlefshme në hartimin e buxhetit dhe se ky është një buxhet i sigurt dhe i bazuar në të dhëna reale, i cili mundëson zhvillim ekonomik.

“Mendoj se është bërë një punë vërtetë e vlefshme e ministrit Hamza, e të gjithë kolegëve, e cila rezulton me buxhetin për vitin që vjen, që është një buxhet më së pari i sigurte, që është bazuar në të dhënat reale. Po ashtu është një buxhet I cili me këto parametra ka mundësuar menjëherë një nisje zhvillimore për vendin”, tha ai.

E ministri i Financave Bedri Hamza tha se përmes këtij propozim buxheti, do të sigurohen se rritja ekonomike, si bazë për zhvillimin e buxhetit, do të jetë stabile dhe e qëndrueshme dhe se ky buxhet reflekton më të mirën e mundshme duke shtuar se ky draft është i harmonizuar me FMN-në.

Ministri Hamza tha se do të ketë rritje të pagave nga 1 janari i vitit 2018, si dhe financim të qëndrueshëm për skemat e ndryshme sociale, duke përfshirë ndihmat sociale, për një grup shumë të rëndësishëm të shoqërisë dhe financim të qëndrueshëm për veteranët e luftës. Do të ketë rritje substanciale, për financim të projekteve kapitale me karakter publik, që do të ndikoj direkt në rritjen e produktivitetit në sektorin privat.

“Ky buxhet për paga dhe mëditje, parasheh rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik nga janari i vitit 2018. Pagat për rritje të punësimit në sektorin strategjik të vendit dhe punësimin për institucionet e reja”, tha Hamza.

Sipas tij rritja ekonomike për vitin 2018 parashikohet të jetë 4.6 përqind. Hamza tha se presin që në vitin 2018, total të hyrat buxhetore do të jenë në vlerë prej 1 miliard e 829 milionë euro. Në propozim buxhetin e vitit 2018 të hyrat nga ATK-ja parashihen të arrijnë në vlerë prej 446 milionë euro, që është një rritje prej 5.4 përqind krahasuar me vitin 2017. Ndërsa të hyrat nga Doganat e Kosovës, planifikohet që të arrijnë në 1 miliard e 175 milionë euro, apo një rritje prej 6 përqind në raport me vitin paraprak.

Ndërsa tha se buxheti për vitin 2018 do të jetë 2 miliardë e 82 milionë euro.

“Buxheti i Republikës së Kosovës, për vitin 2018 me pjesët e ndara buxhetore do të jetë 2 miliardë e 82 milionë. Në kuadër të shpenzimeve sipas kategorive ekonomike kemi këtë buxhet. Shpenzimet për kategorinë paga dhe mëditje për vitin 2018 janë paraparë 589 milion euro. Një rritje prej 4.3 për qind në raport me shpenzimet e parashikuara për paga dhe mëditje, me draft rishikimin e buxhetit të vitit 2017”, tha Hamza.

Subvencionet dhe transferet pritet të arrijnë vlerën prej 525 milionë euro në vitin 2018, që është një rritje prej 6 pë qind krahasuar me buxhetin e vitin 2017. E tek kategoria e shpenzimeve kapitale për vitin 2018, planifikohet të ketë një rritje rreth 37 përqind në raport me draft buxhetin e rishikuar të vitit 2017, duke e arritur shumën prej 687 milionë euro. Projektet më të rëndësishme që planifikohen të përfshihen në këto investime, janë autostrada Prishtinë- Shkup, projekti i rrugës M2 Prishtinë- Mitrovicë, i rrugës M3 Prishtinë –Pejë, përfundimi i autostradës Skenderaj- Drenas, zgjerimi i rrugës apo autostradës Gjakovë, qarkut të Gjakovës. Autostrada në drejtim të Gjilanit dhe gjithashtu dhe rruga tjetër e karakterit nacional që është në drejtim të Podujevës.

Për sektorin e shëndetësisë, ndarja buxhetore propozohet të rritet prej 21 përqind, e që financimi për shëndetësinë do të jetë mbi 200 milionë euro.

“Për herë të parë buxheti i vitit 2018 ka sjellë gjithsej financim për shëndetësinë mbi 200 milionë euro. Ndarja për barnat esenciale janë rritur në 36 përqind krahasuar me vitin paraprak. Ndërsa për herë të parë është siguruar financimi për pagesën e specializantëve. Është siguruar dhe mbështetje buxhetore për punësimin e më shumë se 200 mjekëve specialist dhe 100 infermierëve të rinj”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha se ky buxhet, është një hap drejt ngritjes së shërbimeve në shëndetësi.

“ E kemi gjetur një MSh shumë të nënfinancuar me borxhe të shumta. Dhe ky buxhet tani është hapi i parë drejtë një krijimi të momentumit të ri, për ngritjen e përmirësimeve të shërbimeve mjekësore.. Besoj se ky buxhet do të sheh një ngritje të cilësisë, në sektorin e shëndetësisë dhe po ashtu do të kemi dhe ngritje të personelit mjekësor, i cili është shumë i nevojshëm”, tha ai.

Ndryshe, për funksionimin e drejtësisë buxheti i vitit 2018, parasheh ndarje buxhetore në vlerë prej 246 milionë euro. Ministria e Srejtësisë ka rritje prej 9 përqind. Ndërkaq Këshilli Gjyqësor i Kosovës 12 përqind ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës 27 përqind. Gjithashtu buxheti për Ministrinë e Brendshme, FSK dhe AKI është rritur me 13 përqind , duke krijuar hapësirë për efikasitet më të lartë./kp