Aktuale

Qeveria zmbrapset pak: Marrëveshja e demarkacionit mund të ndryshohet – opsion edhe arbitrazhi

Qeveria e Isa Mustafës ka proceduar për në Kuvend projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi. Aty ka paraparë mundësinë që të ndryshohet marrëveshja me malazezët nëse ofrohen fakte të reja. Opsion mbetet edhe arbitrazhi ndërkombëtar.

Në arsyetimin e projekt ligjit për demarkacionin në mbledhjen e qeverisë, Ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, tha se ai ka tri shtylla kryesore, filluar me “ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion dhe me çështjet e tjerat ligjore”.

Me këtë rast, Qeveria është zmbrapsur dhe ka paraparë edhe ndryshimin e marrëveshjes me Malin e Zi nëse ka fakte të reja se i është dhënë tokë kosovare palës malazeze.

Hoxhaj tha se projektligji që dërgohet në Kuvend përmban edhe pjesë ku thuhet se:

“Nëse ka fakte të reja ligjore, mund të ndryshohen dhe plotësohen me pëlqimin e palëve… Me pajtimin e palëve për ndryshimin e dispozitave të Marrëveshjes, mund të kërkohet edhe arbitrazh ndërkombëtar”, arsyetoi ministri Hoxhaj projektligjin për demarkacionin, shkruan REL.