Aktuale

QKU ofron bashkëpunim të shërbimeve shëndetësore për kategoritë e dala nga lufta

Përfaqësues të shoqatave të luftës së UCK-së janë takuar sot me drejtorin e përgjithshëm të QKU-së Curr Gjocaj dhe zëvendësministrin e Shëndetësisë Rrustem Musa ku janë diskutuar mundësitë që brenda legjislacionit në fuqi, udhëzimeve administrative dhe rregulloreve të brendshme të ofrohen lehtësira në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për këto kategori.

Gjocaj tha se meqë ende nuk janë të gatshme të gjitha udhëzimet administrative nga Ministria e Shëndetësisë e që burojnë nga Ligji për Shëndetësi dhe Ligji për kategoritë e dala nga lufta, atëherë do të mundohen që përmes një marrëveshje apo memorandumi me Shoqatat e luftës të krijohen lehtësira në ofrimin  shërbimeve shëndetësore.

Gjocaj ka thënë se do të formojë një komision në përbërje të profesionistëve shëndetësorë të lëmive të ndryshme, pjesë e së cilit do të jenë edhe shoqatat e luftës, në mënyrë që të bëhet një marrëveshje e përbashkët mes dy palëve, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më kualitative.

Zëvëndësministri i Shëndetësisë theksoi se legjislacioni në fuqi garanton trajtim dinjitoz të këtyre kategorive deri në hartim të udhëzimeve administrative që burojnë nga legjislacioni në fuqi.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari tha se  kërkesat e tyre janë legjitime dhe se duhet të nxirren udhëzimet  administrative që burojnë nga Ligji i vitit 2016.

“Në disa Ministri nuk ka akte nënligjore,  nuk janë nxjerrë udhëzimet administrative. Është ligj i veçantë që trajtohen familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët.  Është e nevojshme që derisa të nxirren aktet nënligjore të kemi marrëveshje ose memorandum mirëkuptimi që kategoritë e dala nga lufta mos të presin gjatë”, tha Jashari.

Sipas tij, është e nevojshme që këtyre kategorive t’u ofrohen shërbime shëndetësore në QKUK dhe gjitha spitalet publike të Kosovës dhe mos të presin gjatë, meqë edhe gjendja ekonomike dhe ajo shëndetësore në disa raste është e ndjeshme.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Invalidëve të luftës, Fadil Shurdhaj  tha se më herët ka ekzistuar një marrëveshje që ditën e enjte nga ora 7:00, deri 11:00, janë kryer shërbime radiologjike për kategoritë e dala nga lufta, ku paraprakisht shoqata kishte lëshuar një dokument të veçantë dhe kjo kishte funksionuar.

Sipas tij, do të ishte mirë që një marrëveshje e tillë të vazhdonte edhe tani. Ai falënderoi gjithë profesionistët shëndetësorë që kur u është kërkuar  nga ta, kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar gjitha kategoritë e dala nga lufta.