Aktuale

Rama fton në takim liderët e 4 subjekteve shqiptare që hynë në Parlamentin maqedonas

Pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ftuar në takime të ndara të gjithë liderët politikë shqiptarë nga Maqedonia që kanë fituar mandate në Parlamentin e Maqedonisë.

Në këtë mënyrë, kryeministri shqiptar është interesuar për planet dhe strategjinë e ardhshme të liderëve shqiptarë se si do t`i artikulojnë kërkesat e shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë.

Rama është interesuar për së afërmi në këtë drejtim dhe u ka dhënë përkrahje të gjithë liderëve politikë duke u thënë se do të mbështesë të gjitha kërkesat e shqiptarëve, shkruan TetovaSot.

Në zgjedhjet e së dielës vende në Parlament siguruan Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit – 10 deputetë, Lëvizja Besa e Bilall Kasamit – 5, kalicioni Aleanca për Shqiptarët i udhëhequr nga lideri i LR-PDSH Ziadin Sela – 3 dhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit – 2 mandate.

Sipas LR-PDSH-së, Sela është lideri i parë i cili, bashkë me sekretarin partiak Arben Taravarin, sot do të takojë kryeministrin shqiptar./Gazeta Express/