Aktuale

Rama kundër tregut të përbashkët në Ballkan

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se BE do të fillojë bisedimet për anëtarësim me Tiranën deri në fund të këtij viti.

Ai në një intervistë për Reuters ka hedhur poshtë spekulimet se Unioni po sforcon krijimin e tregut të përbashkët në Ballkan në kuadër të marrëveshjes për të cilën mund të debatohet në Trieste muajin e ardhshëm.

Presioni për formimin e tregut të përbashkët, në të cilin përveç Shqipërisë do të ishin edhe vendet e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor ka marrë ritëm të ri, pasi që BE-ja po përpiqet që serish të lidhë rajonin pas krizave të shumta politike dhe diplomatike dhe shqetësimeve për shkak të ndikimit rus, shkruan Reuters.

Rama ka thënë se ai dhe kolegët nga këto shtete këtë nuk do ta pranojnë dhe se këtë ua ka bërë me dije edhe liderëve evropianë.

“Kjo është diçka që gjithmonë qartë e kemi bërë me dije dhe kur dua të them ne, mendoj në të gjithë liderët e rajonit. Nuk do ta “gëlltisim” kurrë këtë si alternativë të integrimeve evropiane”, ka thënë Rama.

Duke folur për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Rama tha se Shqipëria ka “shanse të mira” për fillimin e negociatave të dëshiruara për anëtarësim me BE-në në afat prej disa muajsh, duke iu falënderuar përpjekjeve “që të reformohet sistemi gjyqësor i korruptuar i vendit dhe çrrënjosja e gjyqtarëve të pandershëm”.