Aktuale

Rama-opozitës: Jeni të papërgjegjshëm

Kryeministri Rama mori fjalën në seancën e sotme të Kuvendit pas deputetit Spaho të Partisë Demokratike, duke e akuzuar opozitën për papërgjegjshmëri.

“Dallimi i madh mes nesh dhe jush, është që ju nuk mbani përgjegjësi. Nuk keni asnjë ndjenjë përgjegjësia në raport me këtë vend me këtë popull. Madje as në raport me ata që kemi marrë përsipër të përfaqësoni. I lëshoni lum fjalët, duke mos marrë parasysh që sa prej tyre cenojnë Shqipërinë, e cila sa është e imja është edhe e juaja. Përgatituni se keni 4 vite kohë për të parë se çfarë është qeveria e Edi Ramës dhe çfarë do të larë si gjurmë në historinë e këtij vendi”, tha Rama.

Ai reagoi ndaj deputetit Spaho, i cili pak më herët tha se babëzia qeveritare ka realizuar 100% programin e koncesioneve në shëndetësi. Rama tha se e gjitha është bërë për të garantuar kontrollin bazë mjekësor.

“Babëzia qeveritare ka realizuar 100% programin për koncesionet në qeveri”, nuk është kjo, por ndjenja e përgjegjësisë për t’i shërbyer qytetarëve për të garantuar kontrollin bazë mjekësor. Deri dje duhet të paguanin nga xhemi, ndërsa sot e bëjnë atë falas. Nëse do të kishit minimumin e përgjegjësisë, duhet të merrnit pjesë në rritjen e përgjegjësimit në rritjen e këtij shërbimi. Së dyti, babëzia, siç ju e thoni, ka garantuar shërbimin falas të të gjithë atyre që kanë nevojë për hemodializë, të cilët deri para vënies në funksion duhet të bënin udhëtime për në Tiranë me shpenzime të madha dhe stres e lodhje për një të sëmurë”, tha Rama.