Aktuale

Rama: Zyrat e shtetit, do të jenë të njerëzve të zakonshëm

Kryeministri Edi Rama u ndal të mërkurën në Vlorë për të vijuar turin e tij të dëgjesës me qytetarët nga ku ritheksoi se zyrat e shtetit në mandatin e tij të ri qeverisës do të jenë të njerëzve të zakonshëm.

Rama tha në fjalën e tij se shumica e shqetësimeve të ngritura nga qytetarë lidhen me pronën e janë të trashëguara që në ditën e parë të ndryshimit të sistemit, që krijoi në Shqipëri 8 mijë konflikte me pasojë vrasjen, plagosjen apo dëmtimin fizik pa llogaritur konfliktet gjyqësore.

“Ajo që është ende një sfidë e madhe e që sjell gjithë këto konflikte është mungesa e një bazë të qëndrueshme të dhënash për të gjithë territorin. Po po punohet për ngritjen e saj, megjithëse ka ende shumë punë”, deklaroi Rama.

Rama duke u ndalur në çështjen e legalizimeve, një tjetër problematikë e ngritur nga banorët tha se ka shumë ndërtime jashtë kritereve që nuk do të mund të legalizohen.

“Një pjesë e madhe e problematikave lidhen me ALUIZNI-n. Bëhet fjalë për një numër të madh ndërtimesh jashtë kritereve që nuk mund të legalizohen, si rastet e ndërtimeve mbi ujësjellës. kanale kulluese, rrugë apo monumente kulture”, deklaroi Kryeministri.

Kryeministri premtoi se do të punohet për t’i dhënë çdo zyre një dinjitet të merituar nga njerëzit që paguajnë taksat.

Po ashtu, ai foli edhe për platformën e bashkëqeverisjes, e cila sipas tij, bën të mundur që çdo problem të ngrihet dhe të trajtohet në kohë reale. “Ne nuk kemi luftë me partitë e opozitës. S’kemi kohë të humbasim me ta. Detyra jonë është të largojmë nga zyrat e shtetit çdo zyrtar parazit dhe grabitqar që paguhet nga taksapaguesit”, u shpreh Kryeministri.

Sipas tij, kjo luftë fitohet vetëm nëse çdo qytetari i jepet akses”në bashkëqeverisje. “Mbrapa ekranit të platformës për bashkëqeverisje me qytetarët qëndron një ushtri e tërë njerëzish që do të merren me trajtimin dhe verifikimin e çdo çështje të ngritur. Kur vërtetohet që zyrtari ka shkelur detyrën, ose nuk e ka kryer atë, ai do të lerë zyrën e do të shkoj në burg”, deklaroi Rama.

Kryeministri siguroi qytetarët se nuk do të lihet qeveria e re të shkëputet nga populli që i dha votën.