Aktuale

Rashiti premton një qeverisje ndryshe për qytetin e Shtimes

Me synimin për një qeverisje transparente, kandidati i pavarur për kryetar të Shtimes i mbështetur nga Nisma, LB dhe AKR-së, Fatmir Rashiti ka garantuar përfshirjen e qytetarëve në qeverisjen e qytetit.

Ai këto premtime i ka bërë me rastin e shpalosjes së platformës zgjedhore në qytetin e Shtimes, me ç’rast janë prezantuar edhe kandidatët për asamble komunale të këtij qyteti.

Rashiti ka thënë se ka hyrë në garën për kryetar të Shtimes, në mënyrë që qytetarëve t’ua kthejë shpresën, dhe qytetit t’i sjellë përmirësim dhe modernizim në qeverisje.

“Mora guximin t’i kundërvihem asaj situate duke e bërë kandidaturën për kryetar të komunës, në mënyrë që qytetarit t’ia kthejmë shpresën dhe besimin se në këtë vend do të ketë drejtësi, se në këtë vend mund të jetohet me punë të ndershme. Në themelet e programit tim 4-vjeçar për qeverisjen e Komunës së Shtimes është përmirësimi dhe modernizimi i qeverisjes i cili konsiston në ngritjen e mirëqenies sociale, forcimin dhe sundimin e ligjit, garantimin e transparencës dhe përfshirjen e qytetarëve në qeverisje. Duke qeverisur mirë, në atdheun tonë ka vend dhe jetë të mirë për të gjithë”, ka thënë Rashiti.

Rashiti, ndër të tjera, ka thënë se keqqeverisjen e kaluar duhet dërguar në shtëpi duke premtuar se nëse zgjidhet kryetar i Shtimes, do të çlirojë qytetin nga diktatura e fundit, siç e quan ai.

“Dua vetëm t’iu garantoj se ka përfunduar koha kur vendet e punës ishin rezervuar për të njohurit e kryetarit, ka përfunduar koha kur të privilegjuar ishin të dëgjueshmit. Ne do të ia ndalojmë të tjerëve gëzimin, jo në kuptimin e gëzimit të qytetarëve për arsye se unë jam i bindur që edhe anëtar dhe simpatizantët e Partisë Demokratike do të gëzohen dhe do të lirohen nga kjo katrahurë, nga kjo diktaturë e instaluar nëpër institucione edhe publike edhe shoqërore, e instaluar në kuvendin komunal, në arsim dhe shëndetësi edhe ata do të lirohen, edhe ata do të jenë pjesë e fitores tonë“, ka thënë Rashiti.

I pranishëm në këtë tubim zgjedhor ishte edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi i cili tha se bashkimi i subjekteve politike në përkrahje të kandidatit të pavarur të Shtimes do ta bëjë këtë qytet të matet me standardet e qyteteve më të zhvilluara në Kosovë.

“Edhe kësaj here bashkimi i subjekteve politike në komunën e Shtimes, bashkimi i qytetarëve rreth një kandidati, rreth një programi do të arrijë që Shtimen ta bëjë qytet i cili do të matet me standardet e qyteteve më të zhvilluara të Kosovës, këtë e them për shkak se kam parasysh dy nivelet e pushtetin atë qendror dhe lokal”, ka thënë Isufi.

Ndryshe, Fatmir Rashiti ishte nënkryetari i Komunës së Shtimes, i cili njëkohësisht mbante edhe postin e anëtarit të PDK-së, ndërsa është larguar nga këto dy pozita si rezultat i pakënaqësive që kishte nga udhëheqja aktuale e kësaj komune. /kp/