Aktuale

Rasti ‘Stenta’, japin dorëheqje katër mjekë

Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga pozita menaxheriale për drejtorin e Klinikës së Kardiologjisë në QKUK dhe drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se një vendim i tillë është marrë pas shkresës zyrtare nga Kryeprokuroria e Shtetit, e cila ka ngritur aktakuzë ndaj tyre për rastin ‘Stenta’.

“Drejtori i përgjithshëm, paraprakisht ka njoftuar bordin drejtues të SHSKUK-së, nga i cili ka marrë përkrahjen e plotë për veprime ligjore konform kompetencave të tij . Po ashtu, deri sot në ora 15:00 është pritur dorëheqja e tyre, por për shkak të mos reflektimit të tyre për të paraqitur dorëheqjes nga pozitat menaxheriale, në ora 15:00, u janë shtypur vendimet për largim të përkohshëm”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se dorëheqjen e kanë paraqitur drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, dy shefa të reparteve në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren dhe një në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë./KosovaPress/