Aktuale

Referendumi në Maqedoni, dalja deri në orën 15:00 është 22.56%

Në Maqedoni po zhvillohet referendumi për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, i cili është vlerësuar si historik për të ardhmen euroatlantike të vendit.

Komisioni shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 15.00 në votime kanë dal 22.05 për qind e trupit të përgjithshëm votues.

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, tha se procesi zgjedhor në përgjithësi është duke u zhvilluar në mënyrë të qetë dhe demokratike përveç disa parregullsive në disa vendvotime ku janë ndërmarrë masa për zbardhjen e rasteve.

Në një komunë të Shkupit një person ka depërtuar në një vendvotim dhe ka fyer anëtarët e komisionit zgjedhor dhe të pranishmit e tjerë, por gjendja është qetësuar pas ndërhyrjes së policisë e cila ka ndalur personin në fjalë. Ka pasur edhe disa parregullsi të vogla, por pas që janë mënjanuar pas ndërhyrjes së organeve përgjegjëse.
Rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote janë ftuar t’i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pas votimit në referendumin e së dielës, ka shprehur besimin e plotë se votimi do të jetë i suksesshëm dhe se me këtë do të plotësohet dëshira e qytetarëve për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

“Sot është festë e vërtetë. Unë pres që përmes masovitetit në votime, me pjesëmarrjen e madhe, edhe një herë të konfirmohet uniteti multietnik i qytetarëve tanë dhe uniteti i përgjithshëm politik i qytetarëve pa dallim përkartësinë politik….Unë besoj se një shumicë e madhe e qytetarëve do të jenë PËR pasi më shumë se 80 për qind e qytetarëve janë për NATO-në dhe BE-në.Unë besoj se kjo shumicë dërrmuese sin ë cdo demokraci, do të jetë një udhërrëfyes i saktë, për ne politikanët dhe për Kuvendin që t’i ndjek dëshirat e qytetarëve dhe në fund.

“Kuvendi do të votojë për këtë dëshirë të tyre, pasi atje konfirmohet e ardhmja jonë”, ka deklaruar Zaev pas votimit në Strumicë, qytet në jug të Maqedonisë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti votimin e të dielës e ka vlerësuar si historik për të ardhmen e vendit, sigurinë, paqen dhe mirëqenien e qytetarëve. Pas votimit në Zajas të Kërcovës, Ahmeti ka thënë se pret që nga 1 tetori Maqedonia të jetë më pranë BE-së dhe NATO-së.

“Ky është një moment historik për vendin tonë dhe besoj se këtij procesi të rëndësishëm qytetarët me qetësinë më të madhe edhe do t’i përgjigjen..Unë pres që qytetarët në këtë referendum të vendosin për të ardhmen e tyre”.
“Në të gjithë jemi angazhuar që nga 1 tetori Maqedonia të jetë pranë vendeve ku ne aspirojmë, pranë Bashkimit Evropian, por edhe pjesë e NATO-s, që Maqedonia të ecë para, por edhe të realizoj qëllimet e veta historike për të instaluar paqen të qëndrueshme, siguri për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, investime e zhvillim ekonomik “, ka deklaruar Ahmeti.

Votimi zhvillohet në 3.480 vendvotime, të cilat janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit ndërsa do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes.

Referendumi ka karakter konsultues, por bazuar në dispozitat kushtetuese, dalja në referendum duhet të jetë mbi 50 për qind të trupit të përgjithshëm votues, edhe pse për këtë ka pasur debate e interpretime të ndryshme, nëse me daljen eventuale nën 50 për qind do të konsiderohej i dështuar ose jo.

Referendumi pason marrëveshjen që kanë arritur Maqedonia dhe Greqia, më 17 qershor, në Prespë, për mbylljen e kontestit 27 vjeçar për emrin. Zgjidhja parasheh që Maqedonia të ndërrojë emrin në “Maqedonia e Veriut”.

Nënshkrimi i marrëveshjes mes presidentit Zaev dhe Tsipras, 17 qershor
Veç kësaj, maqedonasit kanë pranuar se nuk kanë lidhshmëri me maqedonasit antik sikur edhe gjuha maqedonase e cila në bazë të marrëveshjes i takon grupit të gjuhëve sllave.

Si këmbim, Greqia e cila supozonte se Maqedonia ka pretendime territoriale ndaj rajonit të saj verior me të njëjtin emër do të zhbllokoj procesin e anëtarësimit të fqinjit të saj verior në NATO dhe BE.

Por, marrëveshja ka ndarë partitë në Maqedoni në dy blloqe, për dhe kundër marrëveshjes.

Partia e kryeministrit, Zoran Zaev, Lidhja Social-Demokrate dhe partitë shqiptare kanë pranuar marrëveshjen dhe kanë ftuar qytetarët të dalin në referendum dhe të mbështesin paktin me Greqinë, si alternativë të vetme për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

Kryeministri, Zaev gjatë gjithë kohës ka mbrojtur marrëveshjen duke theksuar se më të mbrohen interesat kombëtare e shtetërore, si identiteti, gjuha e trashëgimia kulturore maqedonase.

Por, partitë e opozitës të udhëhequra nga VMRO DPMNE-ja e Hristijan Mickovskit dhe presidenti, Gjorge Ivanov, marrëveshjen e kanë quajtur “kapitulluese”.

Opozita ka vendosur që të mos bëjë thirrje për dalje apo mos dalje në referendum, por kjo në opinion është interpretuar si bojkot në heshtje. Presidenti ndërkohë publikisht ka bërë të ditur se nuk do të votojë.

Marrëveshja ndërkohë mbështetet fuqishëm nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë se “votimi më 30 shtator është më i rëndësishmi në historinë e Maqedonisë.”

Ndërkombëtarët këtë mbështetje e kanë reflektuar edhe me vizita të shumta të nivelit të lartë, si ajo e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe sekretarit amerikan të mbrojtjes,

Nga qeveria kanë thënë se nuk posedojnë dëshmi mbi ndërhyrjen e Moskës, por dyshimet ekzistojnë. Këtë e ka theksuar gjatë vizitës në Shkup edhe sekretari amerikan të mbrojtjes, James Mattis.

Nëse kalon në referendum, marrëveshja rikthehet në Kuvend, ku duhet të miratohen edhe ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me emrin ri të shtetit. Ndryshimet miratohen me dy të tretat e votave, të cilat nuk i ka shumica parlamentare.
Që marrëveshja të bëhet e plotfuqishme duhet të miratohet edhe në Parlamentin e Greqisë, por vetëm pasi pala greke të jetë siguruar se Maqedonia ka përmbushur të gjitha detyrimet e saja.
Emocione të fuqishme para mbajtjes së referendumit në Maqedoni

Procesi votues po mbikëqyret nga 11.907 vëzhgues vendor dhe 493 ndërkombëtar, prej të cilëve 197 nga misioni i OSBE/ODIHR, 35 nga ambasada amerikane dhe të tjerët nga misione tjera diplomatike. Nga vëzhguesit vendor numrin më të madh e ka shoqata për iniciativa qytetare dhe politike me gjithsej 5.574 persona.

Rezultatet e referendumit pritet të kumtohen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pak çaste pas mbylljes së kutive të votimit, para se gjithash do të dihet përqindja e daljes së qytetarëve në votim.

the authorE B