Aktuale

Reforma në drejtësi, Rama pret Nënsekretaren amerikane të Shtetit, Nuland

Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland u prit të dielën në një takim nga kryeministri Edi Rama.

Vizita disaorëshe e Nuland në Tiranë, e cila zhvillohet në kuadër të një turi evropian, për kryeministrin Edi Rama “është tregues i vëmendjes që i kushtojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës reformës në drejtësi”.

Kryeministri Rama u shpreh dje nga Varshava se “ardhja e zonjës së ‘hekurt’ të Uashingtonit në Tiranë, është një tjetër sinjal i fortë për shqiptarët se çfarë rëndësie i kushton Shtëpia e Bardhë, reformës në drejtësi”.

Agjenda zyrtare e Nuland në Tiranë nisi me takimin me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Më pas zyrtarja e lartë e DASH zhvilloi një takim në ambientet e hotel “Rogner” me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland viziton sot Shqipërinë dhe Kosovën në kuadër të një turi evropian që ka nisur në Gjeorgji, Ukrainë dhe Poloni, ku Nuland shoqëronte Sekretarin e Shtetit John Kerry. Po ashtu, ajo pritet të vizitojë në ditët në vijim edhe Maqedoninë, Serbinë dhe Qipron.