Tech

Renault Espace bëhet me motorë të rinj (Video)

Pas paralajmërimit në muajin maj, kompania e njohur franceze Renault zyrtarisht në tregun evropian ka zgjeruar ofertën e motorëve për modelin Espace.

Tani, Renault Espace është në dispozicion edhe me motor benzinë 1.8-litër Turbo Energy TCe me kapacitet prej 225 kuajfuqi, 25 kuajfuqi më shumë për dallim nga TCe 200 i cili po zëvendësohet, transmeton Koha.net.

Motori i ri është zhvilluar nga Renault Sport, ku të njëjtin motor e ka edhe Alpine A110 i ri i cili është me kapacitet prej 252 kuajfuqi.

Motori i ri i Renault Espace, po ashtu, është në kombinim me marshin automatik EDC me shtatë shpejtësi, dhe shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për 7,6 sekonda ndërsa, sipas të dhënave nga fabrika, shpenzon karburant mesatarisht 6.8-litër në 100 km dhe emeton dyoksid të karbonit 152 gramë për kilometër.

Renault Espace, po ashtu, është në dispozicion edhe me rrotat e reja nga alumini me diametër prej 18 dhe 19-inç, ngjyrë të re të eksterierit (ngjyrë gri – Titanium Grey), interier prej lëkure me ngjyrë gri (Sable Grey), ulëset e përparme me ventilim, dritat e reja LED në interier, si dhe me sistemin më të ri Infotainment në version R-Link 2 i cili është kompatibil me Apple CarPlay dhe Android Auto.

Për fund, Espace është në dispozicion edhe me dy motorë dizel (dCi 130 dhe dCi 160), si dhe me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat, 4Control.