Opinione

Republika socialiste e Kosovës

Shkruan: Lulzim Tafa

(Ose çfarë realisht e bën sektorin publik më atraktiv sesa sektorin privat për të qenë i punësuar)

E marrim me mend se ideja e hershme e ideatorëve për Republikën e Kosovës ka qenë nën ndikimin e rrethanave të kohës, dmth. para rënies së murit të Berlinit, Paktit të Varshavës, PPSH (partisë shtet) në Republikën Socialiste Popullore të Shqipërisë, por edhe të RSFJ-së apo Avnoit, siç njihej në jugosllavishte (e që neve na e mësonin apo na detyronim t’i mësonim në shkolla). Pra, ideja ka qenë për një Republikë në kuadër të Federatës së “ktynihershit”. Mund ta marrim me mend se ata ideatorë, në një mënyrë ose tjetër, kërkonin një republikë socialiste. Të mos e zgjasim më shumë, të tjerat mund t’i marrim me mend.

Kapitalizmin na e mësonin si diçka të rëndë e të papërballueshëm për shpirtin socialist. Në kapitalizëm “eksploatohet” klasa punëtore, nuk kishte vetëqeverisje. Pra, thjesht, klasa punëtore në kapitalizëm nuk ishte avangardë siç ishte avangarde e Partisë Komuniste. Kaq vjet nga ajo kohë, mbi një çerek shekulli nga rrëzimi i murit të Berlinit, pesëmbëdhjetë vjet nga çlirimi i Kosovës dhe tetë vjet nga Pavarësia e Kosovës, sektori publik i punësimit ende mbetet më atraktiv sesa sektori privat (për dallim prej krejt botës), edhe pse të dy sektorët paguhen nga sektori privat, nga mundi, djersa dhe sakrifica e ndërmarrësve privatë. A thua pse?

Në sektorin publik në punë mund të shkosh e të dalësh kur të duash, te “kapitalisti” jo sepse minutat janë të mëdhenj. Në sektorin publik mund të marrësh pushim mjekësor sa të duash, ke udhëtime zyrtare sa të duash, madje edhe mëditjet të paguhen, kafe e muhabet me kolegë pa ta prishë askush “tymin e duhanit”. Nëse ke fat të jesh pak i fortë në parti, zotit faltë për që po guxon kush të thotë një fjalë të keqe apo “sytë e zi i ke”. Vlerësimin e performancës e ke të garantuar në superlative, të punosh thuajse asgjë, atëherë kush është ai që ngrehet herët e shkon në punë në sektorin privat dhe punon si “derr”, madje edhe kur të shtiresh i sëmurë nuk të beson kush, merre me mend. Një gabim më të vogël nëse e bën “ta rrah teneqen” e të dërgon në shtëpi.

Në sektorin publik, nëse e ke atë fat të të largojnë nga puna, shpejt ankon, gjykatësit e kohës së socializmit mezi presin e sjellin vendimin për të të kthyer në punë, t’i paguajnë të gjitha të ardhurat personale, edhe pse pa punuar, madje me kamatë. Nëse s’ke mundësi t’ia paguash rrogat shpejt i tubon në dogana, apo në gjoba nga sektori privat. Prandaj kush është ai që pranon me e ndërru sektorin privat me atë publik. Nuk e di nëse ka ndonjë rast që gjykatat e Kosovës nuk kanë vendosur në favor të punëtorëve. Madje edhe te rasti i Fabrikës së Tubave, thuajse Kosova është sukcesore e Serbisë dhe fajtore, dhe duhet të paguajë nga buxheti i vet apo edhe i privatizimit fajet dhe dëmet e Serbisë. Merreni me mend, si rasti i kësaj fabrike janë të gjitha ndërmarrjet e asaj kohe. Të mos keqkuptohemi, ato dëme pa dyshim se duhet të paguhen, por duhet të paguhen nga ajo që e ka shkaktuar dëmin, e ajo është Serbia, së cilës askush nuk po i thotë se duhet t’i paguajë dëmet e luftës, edhe ato të paraluftës.

Arsimi e shëndetësia, dy oazat e mëdha të socializmit

S’ka dyshim se dy oazat kryesore të socializmit në Kosovë janë arsimi dhe shëndetësia. Tmerrohesh nga propaganda që u bëhet sektorëve privatë të arsimit dhe shëndetësisë. Është shumë interesante se mbiemri privat u ka mbetur vetëm këtyre dy sektorëve, edhe pse të gjithë sektorët janë më private, sidomos mediet që të gjitha janë private, përjashtimisht mediumit publik “RTK”-së. Nuk ua ndajnë emërtimeve “Spitali Privat”, “Mjeku privat”, “Kolegji privat”, “Mësuesi privat”, e për vete harrojnë të thonë se janë private. P.sh., ato nuk thonë kurrë, nesër në gazetën private “Kosova sot” mund të lexoni”, apo “Mirëmbrëma! Po shikoni lajmet e televizionit privat ‘KTV”’ apo “21” apo “Klan”, apo “ngjarja do të zhvillohet në hotelin privat ‘Swiss Daimond’ apo ‘Emerald”’. Vetëm kur bëhet fjalë për spitalet dhe universitetet atëherë mbiemri privat është i “domosdoshëm”.

A e di ndokush nëse Universiteti i Këmbrigjit apo Universiteti i Oksfordit janë private apo jo, apo se në Japoni po shuhen universitetet publike.

Gogolizimi i privatëve pa dyshim që e ka bërë joatraktiv këtë sektor për të punuar, më parë punon si punëtor fizik apo teknik në sektorin publik, se menaxher në sektorin privat. Frika nga kapitalizmi ekziston dhe ajo nuk çrrënjoset lehtë. Kjo s’ka dyshim se është pasojë e një mentaliteti komunist, që ishte dominues për dekada të tëra në këto treva.

Si përfundim, Kosova nuk është Republikë Socialiste, por as kapitaliste. Unë për vete nuk po mund ta definoj. Dorën në zemër, frikë nga kapitalizmi (sektori privat) ka, por edhe socializmi na tremb shumë, prandaj njerëzit edhe e fshehin orientimin e majtë. Thjesht, Kosova nuk është e qartësuar ende me veten çfarë dëshiron të jetë në të ardhmen. Se sa për sot po shihet se është një lloj “byreku me kurrgjë”, e që nuk po kapërdihet.

the authorSamir Dalipi