Aktuale

Rikthehet i ftohti siberian, sa do të shkojë trashësia e dëborës në Shqipëri

Reshjet e dëborës vijojnë të shkaktojnë probleme në disa akse për qarkullimin e automjeteve. Situata është rënduar paraditen e së dielës në Peshkopi.

Reshjet e dëborës të rëna gjatë natës në Dibër kanë bërë që trashësia e borës të arrijë 20 cm në Peshkopi dhe 40 cm në zonat malore.

6 borëpastruese janë angazhuar për të mbajtur të hapur akset nacionale. Rruga Peshkopi- Kala e Dodës – Kukës dhe Ura e Çerenecit – Steblevë -Librazhd qarkullohet vetëm me zinxhirë. Ndërsa njësia administrative Lurë dhe disa fshatra ne Selishtë dhe Kala të Dodës janë të bllokuara.

Edhe në Llogora reshjet e borës kanë shkaktuar problem në qarkullimin e automjeteve. Për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në Qafën e Llogorasë kalimi i automjeteve bëhet me zinxhirë.

Prej ditës së diel në të gjithë vendin temperaturat janë ulur me 3 gradë. Sipas meteorologëve nga data 17 deri 21 janar do të kemi një rikthim të reshjeve të dëborës. I rrezikuar mbetet edhe kryeqyteti. Muaji janar pritet të mbyllet me temperatura të ulëta, më të ftohta se normalja.