Aktuale

Rinegociimi i Asociacionit shihet i pamundur

Formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë njëra ndër pikat më të nxehta dhe sfiduese për Qeverinë e ardhshme, e cila, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve tashmë, pritet të formohet në një afat të shkurtër kohor.

Lista Serbe e pati bojkotuar punën në Kuvend dhe në Qeveri, si shkak i mos përmbushjes së marrëveshjes së realizuar në Bruksel për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.E njëjta sërish pritet të jetë pjesë formuese e institucioneve të reja.

Analisti politik, Ramush Tahiri, tha për Tribuna Channel se asnjëri nga subjektet politike që do të udhëheq me Qeverinë nuk do ta ketë mundësinë që ta rikthejë asociacionin për rinegocim, sepse është në interes të vendit që të përmbushen të drejtat ndaj minoritetetit serb.

Kurse analisti politik, Burim Ramadani, deklaroi se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të formohet mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.Ramadani tha se asnjëra Qeveri nuk guxon të bëjë veprime antikushtetuese, dhe në këtë mënyrë përjashton çfarëdo mundësie tjetër për formimin e saj.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e pati rrëzuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke identifikuar kështu 23 shkelje të neneve të Kushtetutës.