Opinione

Rrebelimi i kafshëve

Lulzim TAFA

George Orwell kishte nisur që të shkruante një libër për fëmijë me titull “Ferma e Kafshëve”,  si duket, pa i shkuar në mend se ai libër dhe ajo tematikë do t’i thyente kufijtë e moshës së fëmijëve. 

Ideja  e tij që atë temë t’ua dedikonte fëmijëve, nuk ishte e keqe, sepse ai synonte që fëmijët në moshë të re të kenë mundësinë të njihen me abuzimin e kafshëve, me vuajtjet e tyre për së gjalli, derisa thika e njeriut t’i  “kurtaliste” ato. Vuajtjet e tyre edhe mund t’i merrni me mend, derisa thika në fyt është shpëtimi për to.

Romani i George Orwell u bë njëri ndër romanet më të lexuara të shekullit të kaluar. Prej  tij u bënë edhe filma, madje prej filmave më të shikuar.

Romani,  ashtu si edhe filmi, të lënë me gojë hapur, janë krejt dinamikë, krejt ankth. Drama e kafshëve përçon shumë mesazhe te pronarët e kafshëve, pra te njerëzit.

Mitologjia na tregon se kafshët dikur kanë folur, ashtu siç flasin në rrëfimin e Orwellit. Kafshët në këtë botë bashkëjetojnë me njerëzit në tokë, edhe pse ato nuk jetojnë në kurriz të njerëzve, por  janë njerëzit ata që jetojnë në kurriz të tyre.Njerëzit i shfrytëzojnë ato maksimalisht, derisa për to kujdesen minimalisht…

Afërsisht këto janë frazat me të cilat bisedojnë vetë kafshët në romanin-film të Orwellit. Nejse. Gjithsesi , është mirë të lexohet ky  roman, apo të shihet njëri prej filmave bazuar në romanin e Orwellit.

Ideja për këtë temë më ka lindur nga kasapët dhe gjahtarët, e  sidomos nga kasapët – nga vitrinat e mishtoreve apo thertoreve të tyre, ku kafshët  të palosura si “sardelet” rrinë të varura, pasi që janë rjepur me kokë teposhtë për t’i joshur njerëzit që t’i blejnë.

T’ ju them të drejtën, është kohë e gjatë që lëkundem të bëhem a jo vegjetarian. Këto pamje më shokojnë,  më duken shumë të vrazhda. Nuk e di pse kanë nevojë të ekspozohen ata qengja e kafshë të tjera në vitrina, sikur të ishin veshje apo material tjetër, që duhet patjetër të jetë i ekspozuar.

Po ashtu, nuk më hiqet dot prej mendjes një kamion me rimorkio, me qenë të vrarë që e pashë një ditë në njërën nga rrugët tona. E them seriozisht,  dukej një masakër, masakër e kryer mbi kafshët, mbi qentë, mbi besnikët e mëdhenj të njeriut, siç i quajmë ne njerëzit shpeshherë.

Thonë se  edhe  mishi i kalit e i gomarit është i mirë, edhe i breshkës së shkretë, që zoti i ka shkruar jetë të gjatë, sikur njeriu të mos e servirte në kuzhinë…  Kështu thonë popujt që e përdorin këtë ushqim,  kështu thonë njerëzit mishngrënës.

Unë për vete ndihem keq për këtë abuzim që ua bëjmë kafshëve. Janë tronditëse pamjet që i shohim çdo ditë, p. sh. një  ari i lidhur me zinxhirë në plazh, njerëzit argëtohen duke bërë  foto më të, e mua më duket se ai lëngon.  Duke pasur parasysh se ariu e ka një fytyrë të madhe,  nuk është zor me pa pikëllimin në fytyrën e tij. Rëndë, me të vërtetë rëndë.  Peshqit në gjysmë metri katror në akuarium, qenie me shpirt, mëkat.  Zogj të mbyllur në kafaz për hijeshi në dhomën e ndejës, edhe kjo e rëndë. Një viç i gjallë, i bukur, me pa “syret”,  përpara një mishtoreje pret urdhrin për therrje… pa koment.

Dikush mund të thotë, këtu askush nuk e çan kokën për të drejtat e njerëzve, e lëre më për kafshët! Nuk është ashtu, njerëzit e kan fatin në dorën e vet – kafshët jo. Për to duhet të shqetësohemi ne. Trajtimin e kafshëve në Kosovë e dimë. Me e keqja se këtu askush nuk merret me këtë. Sipas Animal Rights in Albania, edhe Shqipëria për fat të keq njihet në gjithë botën për nga mënyra e keqe e trajtimit të kafshëve. Reagimet në botë jane alarmuese, sidomos ndaj kushteve të mbajtjes së kafshve të egra të mbyllura në kushte të papranueshme. Të mos flasim për skandalin e madh të vrasjes së qenve, të organizuar atje nga një kryetar komune.

Të drejtat e njeriut këtu janë parim kushtetues, të kafshëve  ende jo,  ama ligj që i mbron kafshët ka në Kosovë.  Nuk  e di  nëse funksionojnë shoqata për mbrojtjen e kafshëve, ndonëse për shoqatë të gjahtarëve e di që ka, nuk di që ka as shoqata kasapësh,  me gjasë kosa e kasapit vepron individualisht .

Në Kodin penal aktual të Kosovës është bërë përpjekje që kafshëve t’ju sigorohet një mbrojtje juridiko-penale.  Në  kapitullin XXIV edhe pse me një emërtim të çakorduar  “Veprat penale kundër mjedisit, kafshëve, bimëve dhe objekteve kulturore”,  me  shtatë dispozita dhe dhjetëra paragrafë  mbrohen kafshët, duke i paraparë sanksionet penale deri në tre vjet burgim, kurse në draft-Kodin Penal, i cili ende nuk është më fuqi, kafshët përmenden në nëntë dispozita, si dhe një sanksion penal shkon deri në pesë vjet burgim.  Pra,  ligj kemi.

Edhe Traktati i Lisbonës në një nen i siguron këto të drejta. Pra,  edhe BE-ja i kushton vëmendje  mirëqenies së kafshëve, por megjithatë edhe ne, edhe  Evropa, edhe krejt bota jemi larg kujdesit për kafshët.  Kjo  të trishton, mos e dhëntë Zoti qoftë edhe në ëndërr një rebelim të kafshëve si te romani i Orwellit.  Do  të jetë tmerr.

Rebelimi  i kafshëve nuk do të ndodhë, por ëndrra të këqija si pasojë e kësaj do  të shohim me siguri. Kushtrimi që kafshët nxjerrin përmes personazhit- kafshë në romanin e Orwell-it nuk dallon nga kushtrimi që nxjerrin edhe njerëzit në situata robërie :…/Kafshë të Anglisë, kafshë të Irlandës/Të vuajturat kafshë anembanë/Mbani vesh/ dhe përhapni lajmin/Për orën e lumtur që na vjen../

Në këto vargje shihet se George Orwell klith përmes kafshëve ose ato klithin përmes tij.
Një  klithje të tillë po mundohem ta bëj edhe unë me këtë shkrim, siç e kisha bërë dikur në një poezi për Ballkanin:…/ këtu të drejtat e njeriut respektohen pjesërisht/ por të kafshëve plotësisht/ në secilën/kasaphane.