Aktuale

Rrëfehet viktima që ka rënë nga lifti në Spitalin e Dermatologjisë

Vedat Ejupi, është 28 vjeçari, i cili ditë më parë ka rënë nga lifti në Spitalin e Dermatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Si pasojë e kësaj, Vedati ka të lënduar unazën e tretë të boshtit kurrizor, ka të thyer dorën, këmbën si dhe nofullën e gojës.

Ai tregoi  për KosovaPress, se dera e hapur e liftit ka qenë shkas për të cilën ai është  rrëzuar. Vedati tha se mjekët janë duke e dhënë maksimumin e tyre për trajtimin e tij, mirëpo, për shkak të plagëve të rënda as mjekët s’munden ta shërojnë ndryshe.

 

“Kam qenë t’u shkua me pa një kushëri temin edhe kam shkuar shkallëve përpjetë, dera u kanë hapur edhe jam hi në korridor, kam menduar që është lifti edhe dera e liftit u kanë poshtë hapur edhe jam hi menjëherë në lift, thash të shkojë lartë edhe lifti nuk u kon duke punuar edhe kam ra në podrum poshtë. Falë Zotit që kam shpëtuar, fal Allahut që ishte një motër medicionale më ka dëgjua t’u bërtit, edhe dy zjarrfikës kanë hyrë poshtë e më kanë nxirr, se mos me kanë ata, unë sot bon vakia isha vdekur. Kom thyer dorën, këmbën e kam të thyer, nofullën e kom të thyer edhe e kam të shqyer veshin, unazën e tretë kam të kristë edhe krejt trupi llom mu ka bërë. Po, po super trajtimi është i duhur, po ma shumë s’kanë mundësi këta me më trajtuar ma mirë”, tha Ejupi.

Babai i viktimës, Nexhip Ejup, tregoi për mënyrën e rrëzimit të djalit të tij Vedatit nga lifti në Spitalin e Dermatologjisë në Prishtinë. Ai tha se djali i tij, Vedati ka rënë nga lifti prej 4-5metra lartësi, kjo pasi  që dyert nuk kanë qenë të mbyllura dhe si pasojë lifti ka funksionuar në katet lartë.

 

“Djali ka ardhur në spital, ka pas një kontroll, një vizitë  të veten e ka përfunduar vizitën, edhe ka thanë shkojë të shoh një kushëri e kemi pas në Spitalin e Mushkërive të sëmurë, ka shkuar me vizituar kushëririn edhe kur ka shkuar te dera, nuk e ka ditë afër cili është spitali saktë. Ka pyet dikon ia kanë tregu ku është, kur është shkua më  afër e ka pyet edhe dikon i kanë thanë shko në qet hyrje, bjeri trup del. Ai ka shkuar te spitali kur u hy në këtë hyrje që e kishin ndërtuar për lift, u hy brenda shkallëve përpjetë, është ngjitë, është shkuar tek dera e hyrjes. Dera e hyrjes është e plastikës, dy dyer janë ato, kanë qenë të hapura, ato s’janë kanë të mbyllura, dyert janë kanë të hapura. Dera e liftit  i ka prej atyhit që e kishin hap këta, një derë për me punua lifti aty i ka diku 5-6 metra diferencë, edhe djali ka shkua me mendim që po shkon po hyn në lift edhe ky kur u shkua a tu ka ra drejt, lifti nuk ka qenë aty, lifti ka qenë nalt në funksion, ky u ra prej atyhit diku nja 4-5 metra, duhet me kanë lartësia ku ka ra djali”, tha ai.

Zyrtarja për informim në QKUK, Mirlinda Qyqalla pas rastit ka njoftuar për media se qytetari e ka hapur derën me dhunë, duke menduar që ajo funksionon.

“Lifti ka qenë jashtë funksionit dhe qytetari e ka hapur atë me dhunë për të shkuar në Qendrën e Palmologjisë. Pra, vizitori nuk ka ndjekur rrugët të cilat dërgojnë për në këtë qendër, por ka përdorur një lift që është jashtë funksionit dhe e ka hapur derën me zor dhe kur ka hyrë brenda, menjëherë ka rënë poshtë”, tha Qyqalla.

Në anën tjetër, babai i viktimës Nexhip Ejupi, ka fajësuar stafin e Klinikës së Dermatologjisë, duke thënë se kjo është një papërgjegjësi e tyre, sepse ata nuk kanë njoftuar që lifti nuk është në funksion edhe në të njëjtën kohë dyert e liftit kanë qenë të hapura.

Ai i ka demantuar deklaratat e zëdhënëses së këtij spitali, dukë thënë se është gënjeshtër sepse djali i tij Vedati nuk e ka shtyre liftin me dhunë. Sipas tij, edhe prokurori ka marr vetëm deklaratën e zëdhënëses dhe ka dal në terren për të vizituar vendin e ngjarjes dy ditë më vonë.

 

“Për fat ka shpëtuar, për momentin gjendjen e ka shumë të rëndë. Kjo është përgjegjësi e tyre, qysh këta i lënë, jo që ka ndodhë tek djali jem, por kjo mund me ndodhë gjithkund, e qysh i kanë lanë këta unë nuk e di çfarë njerëzish janë këta, me lan derën e liftin hapur, lifti me punuar lartë e dera hapur. Unë i kom degju informatat që ka thanë kjo zëdhënësja e këtij spitali që e ka shty me dhunë, ajo është gënjeshtër, se djali derën nuk e ka prek me dorë, edhe djali është me vetëdije qetash mundeni me pyet djalin që dy vet i kanë nxënë që janë dyert qel, dy vetë i ka nxënë me hi në derë, se jo veç djalin tim. Është edhe një djalë dëshmitar që e ka nxënë liftin mos me shkuar poshtë, dyert ja kanë mbajte qel se me kon shkuar lifti poshtë, djalin e kish mbyt edhe kanë nga kanë bo shumë kohë deri e kanë nxjerr djalin, ndihmë  ia kanë dhanë zjarrfikësit, ata janë dëshmitarë të gjallë që e kanë nxjerr prej aty, fal tyre djali është mirë edhe ka shpëtua tash është në spital trajtimin ia kanë bo të mirë, janë ka e këqyrin mirë, nuk kam kurrfarë vërejtje në stafin mjekësor. Prokurorin e kanë caktuar, prokurori është marrë me deklaratën e zëdhënës të spitalit, pa dal në vend të ngjarjes, tek u dal prokurori ma vonë, mas një ditë a dy dite edhe ka vërtetua që ajo nuk është qysh kanë deklarua këta, por është realiteti, qysh i ka ndodhë djalit”, tha Ejupi.

Pas asaj dite stafi i asaj klinike ka vënë një karrige dhe letër në derën e liftit, në të cilën shkruan se lifti nuk funksionon. E më vonë edhe një dry, i cili ndalon hyrjen në atë lift.

Mirëpo, edhe pas insistimit të KosovaPress-it që të kontaktojë me Prokurorinë lidhur me këtë rast, kjo ishte e pamundur./KP