Aktuale

Rrëfimi prekës i shokut të ngushtë të policit Malësor Dashi: Inspirimi i tij ishte polici Triumf Riza

Në një rrëfim ekskluziv për Gazetën Express, shoku i ngushtë, gjithashtu koleg i tij pune në Policinë e Kosovës, ka folur për shumë tipare të Malësor Dashit, trupi i të cilit u gjet dje në lumin e Lepencit, pas ngjarjes që po cilësohet si aksident.

Bashkë me të ishte edhe polici tjetër Armend Trena, trupi i të cilit po kërkohet ende. Shoku i ngushtë, ka treguar për dëshirën e Malësorit, për t’u bërë polic dhe për atë se kush ishte idhulli i tij në Polici.

Për të qenë në shërbim të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, Malësor Dashi, nuk hoqi dorë nga ëndrra që të veshë uniformën e kaltër. Në një rrëfim ekskluziv për Gazetën Express, shoku i tij, gjithashtu koleg, ka treguar për punën dhe karrierën e policit që u gjet pasditen e djeshme në Lepenc, pas gjashtë ditësh kërkimi intensiv nga të gjitha njësitet kosovare.

Malësor Dashi, 26-vjeçar, ka qenë pjesë e gjeneratës së 53-të në Policinë e Kosovës, me të diplomuar më 25.03.2016.

Fillimisht, shoku (emri i të cilit na është kërkuar të mbetet anonim), rrëfeu se Malësori, me të diplomuar, fillimisht ishte caktuar të punonte si polic patrullues në Stacionin Jugu në Prishtinë, e më pastaj, u transferua në Kaçanik.

Kolegu i të ndjerit tregon se Malësori si inspirim gjithmonë e kishte pasur bashkëvendësin e tij, Triumf Rizën, i cili qe vrarë gjatë orarit të punës.

“Inspirim i tij gjatë punës policore ka qenë bashkëvendësi i tij, Triumf Riza, i cili ishte vrarë gjatë orarit të punës. Malësori ka qenë djalë punëtor dhe shumë i dashur me të gjithë kolegët e punës”, tha ai.

Ai i tregoi Expressit se dëshira e Malësorit për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës ishte shumë e shprehur, pasi ai kishte aplikuar dy herë në polici për të shërbyer.

“Ai ka aplikuar për të dytën herë në polici, pasi që herën e parë kishte mbetur në listën në pritje. Qëllimi i tij ishte ta veshte këtë uniformë dhe t’iu shërbente qytetarëve të Kosovës. Ai nuk u ndal asnjëherë, duke lexuar e duke punuar derisa e arriti atë qëllim”, tha shoku i Malësor Dashit.

Malësor Dashi dhe Armend Trena, u zhdukën më 28 prill dhe që nga ajo ditë, kërkimet nuk u ndalën. Pasditen e djeshme, Malësori u gjet në ujërat e Lepencit, pesë kilometra nga vendi ku kishte rënë makina e tyre zyrtare, duke u kthyer në shtëpi.

Ndërsa, për trupin e Armend Trenës po vazhdojnë ende kërkimet nga shumë ekipe e njësi në lumin Lepenc, por edhe përgjatë malit të asaj zone.

Shoku i ngushtë i Malësorit, një ditë pas gjetjes së trupit, rrëfeu se Malësori nuk ka hezituar asnjëherë të përgjigjej, pa marrë parasysh rrezikun.

“Malësori ka qenë trim dhe nuk ka hezituar asnjëherë të përgjigjej në raste pa marrë parasysh se çfarë ka qenë rrezikshmëria e tyre”, tha ai.

26-vjeçari do të varroset sot në varrezat e Stagovës në Kaçanik, derisa, në anën tjetër, po pritet të dalin rezultatet e autopsisë së trupit të tij dhe rezultatet e ekzaminimit të veturës, me të cilët ranë Dashi dhe Trena në lumin Lepenc.

Kjo video e siguruar nga Express tregon parakalimin e Malësor Dashit, gjatë diplomimit më 25.03.2016: