Sport

Rrëfimi shokues i Adebayor: Kam tentuar vetëvrasjen, familja më ka zhvatur

Ish-sulmuesi i Manchester Cityt dhe Arsenalit, Emmanuel Adebayor ka zbuluar një histori të trishtë gjatë një interviste të dhënë për “Daily Mail”.
Futbollisti me origjinë nga Togo ka rrëfyer se ka menduar jo një herë vetëvrasjen, për shkak të kërkesave të vazhdueshme të marra nga familja e tij, me synimin për t’i zhvatur gjithnjë e më shumë para, teksa nuk interesoheshin kurrë për gjendjen financiare të tij apo gjendjen shëndetësore.

Kjo i kishte shkaktuar një depresion të thellë sulmuesit tashmë 33-vjeçar, i cili ka deklaruar se, pavarësisht se kishte bërë gjithçka për të evituar rënien e familjes së tij në varfëri ekstreme, prindërit e tij e kritikonin vazhdimisht, duke i ushtruar shumë presion derisa të përfitonin disa të holla më tepër.

“Kam menduar disa herë të vetëvritem, t’i jepja fund gjithçkaje. Kam mbajtur brenda meje këtë histori të trishtë për vite e vite me radhë dhe më vjen neveri për mënyrën sesi kanë shkuar gjërat. Por ndihem i rilindur për faktin se më në fund arrita të flas. Gjërat janë të vështira për t’u kapërdirë, sidomos kur punon shumë për të ndihmuar sadopak familjen që të shmangë varfërinë, por pavarësisht kësaj ata viheshin gjithnjë kundër meje”, rrëfen Adebayor.

“Gjithmonë u kam thënë vëllezërve të mi më të rinj se po manipuloheshim nga familja jonë. Shpesh kam ndryshuar numrin e telefonit, në mënyrë që familja ime të mos më kontaktonte. Më merrnin në telefon jo për të më pyetur sesi isha, por vetëm për të më kërkuar para. Mbaj mend një herë kur isha dëmtuar teksa luaja për Tottenhamin. Më telefonuan në momentin kur po i nënshtrohesha një test të rëndësishëm mjekësor, për të më kërkuar nëse mundesha të paguaja këstet shkollore të një fëmije tjetër. Do të doja të paktën të më kishin pyetur njëherë sesi isha”, shprehet ndër të tjera.

the authorE B