Rajon & Botë

Rritet numri i viktimave nga shpërthimi në Ambasadën e Gjermanisë

Të paktën 85 persona janë vrarë dhe 350 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi që ndodhi sot në mëngjes në qendër të kryeqytetit afgan, në Kabul.

Një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë ka thënë se numri i viktimave mund të rritet ende, pasi nga të lënduarit, ka shumë prej tyre që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, shkruan Reuters, transmeton Express.

Shpërthimi ka ndodhur afër pallatit presidencial dhe ambasadave të huaja, ka bërë të ditur Policia.

Zëdhënësi i policisë Basir Mujahid, ka thënë se shumë persona janë vrarë dhe plagosur afër hyrjes së Ambasadës Gjermane.

“Ishte një makinë – bombë afër Ambasadës Gjermane. Është e vështirë të thuhet se cili është objektivi i saktë”, ka thënë Mujahid.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetit Publik, ka thënë se të paktën 67 persona janë dërguar në spitalet në Kabul pas shpërthimit.

Deri më tash askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Grupi ekstremist “Shteti Islamik” ka qenë përgjegjës për sulmet e fundit në kryeqytetin afgan, duke përfshirë edhe një shpërthim të fuqishëm që synonte konvojin e armatosur të NATO-s që vrau të paktën tetë persona dhe plagosi shume të tjerë.

Provinca e Kabulit ka aktualisht numrin më të madh të viktimave në tre muajt e parë të vitit 2017, si shkak i sulmeve të shumta në qytet.