Aktuale

Rruga deri te certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve

????????????????????????????????????

Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, KQZ-ja mund ta bëjë certifikimin vetëm pasi të marrë konfirmimin nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme se të gjitha ankesat janë trajtuar.

Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shpallur rezultatet finale të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ende subjekti fitues nuk mund të fillojë procedurat për formimin e qeverisë deri në certifikimin e rezultateve.Por, nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimin e PZAP-it, në të njëjtën formë kanë të drejtë të ankohen edhe në Gjykatën Supreme.

Pas përfundimit të të gjitha vendimeve juridike KQZ-ja konsulton PZAP-in dhe Gjykatën Supreme për të certifikuar më pas rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura me 11 qershor të këtij viti.Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, tha për KALLXO.com, se pas shpalljes së rezultateve finale, subjektet dhe kandidatët kanë afat 24 orë për të paraqitur ankesat e tyre në PZAP.

“Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare subjektet politike dhe kandidatët kanë afat 24 orë që të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja”, tha Elezi.

Elezi tregoi se për të certifikuar rezultatet KQZ-ja duhet të presë përfundimin e kësaj periudhe për të parë se cilat do të jenë vendimet eventuale të këtij paneli.Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, në nenin 105, paragrafin 3 thuhet “Për të gjitha ankesat e marra nga PZAP-i vendoset jo më vonë se shtatëdhjetedy (72) orë nga momenti i pranimit të ankesave në zyrat qendrore të PZAP-it”.

Ndërsa, Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-it tha për KALLXO.com, se nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimin e PZAP-IT, brenda 24 orëve kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme.Sipas tij edhe Gjykata Supreme ka afat 72 orë për të marrë vendim lidhur me ankesat për këtë proces.“Prej momentit të pranimit të vendimit të PZAP-it, pala ka të drejtë të paraqet ankesë në Gjykatën Supreme me afat 24 orë. Pastaj Gjykata Supreme me afat brenda 72 orëve e ka për obligim të marrë vendim dhe t’i përgjigjet ankesës ndaj vendimit të PZAP-it”, tha Desku.

Sipas tij ky afat i ankesave zgjat 8 ditë dhe pasi të shterojnë të gjitha vendimet juridike, KQZ-ja shpall certifikimin e zgjedhjeve.“Pasi të shterren të gjitha mënyrat juridike që nuk ka ankesa që ndikojnë në rezultat dhe që janë shqyrtu dhe trajtu, KQZ-ja na kërkon neve dhe Gjykatës Supreme, konfirmim se a ka, apo nuk ka ankesa dhe pas konfirmimit të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, atë herë KQZ-ja i certifikon rezultatet”, u shpreh Desku.

Në nenin 106 paragrafin 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, shpjegohet se “KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo apel ndaj vendimeve të PZAP-it lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës”.Ndryshe, të enjten, KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.