Aktuale

Ruçi: Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti në takim të Ngarkuarin me Punë të Kosovës, Syl Ukshini, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri.

Ruçi e falënderoi Ukshinin për kontributin e tij në zgjerimin e bashkëpunimit vëllazëror midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe i uroi suksese në vazhdimin e karrierës së tij diplomatike.

“Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha aspektet, në konsolidimin e demokracisë, fuqizimin e pozitës së saj në rajon dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare si edhe anëtarësimin në nismat dhe organizatat rajonale e ndërkombëtare. Bashkëpunimi ynë me institucionet e reja të Kosovës do të vazhdojë të rritet e zgjerohet në të gjitha aspektet. Në trajtimin e sfidave që kanë përpara, këto institucione duhet të mbajnë parasysh rekomandimet e SHBA-së dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.”, theksoi Ruçi.

I Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës, Syl Ukshini, falënderoi Ruçin për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe të tijën personale për përmbushjen me sukses të misionit të tij në Shqipëri dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të vazhdojë.

Ruçi dhe Ukshini biseduan edhe mbi aspekte të tjera të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës si edhe mbi zhvillimet në rajon./Front Online/