Rajon & Botë

Rusia e quan lajm të rremë sulmin kimik në Siri

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia vijojnë të kenë qendrime të kundërta rreth sulmit me armë kimike në qytetin Khan Sheikhoun të provincës Idlib në veri të Sirisë, si pasojë e të cilit humbën jetën 86 persona ndërsa u plagosën dhjetra të tjerë.

Administrata e Presidentit Trump u qëndroi akuzave të saj, duke fajësuar forcat e presidentit sirian Bashar Asad me përgjegjësi për sulmin.Moska zyrtare i konsideron lajme të rreme.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, gjeneral major Igor Konashenkov tha se lënda kimike u shpërnda kur avionët luftarakë sirianë bombarduan një fabrikë në të cilën rebelët po prodhonin armë kimike.

Sipas tij fabrika prodhonte armë kimike të njëjta me ato që janë përdorur në Irak dhe në Aleppo nga rebelët, ku ishin shfaqur simptoma të ngjashme me ato në Khan Sheikhoun.Por presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump gjatë një deklarate të martën e denoncoi sulmin si një akt “të dënueshëm dhe që nuk mund të injorohet nga bota e qytetëruar”.

“Sulmi ndryshoi qëndrimin tim ndaj Assad. Ky sulm është i papranueshëm. Ajo çfarë pashë tek fëmijët dhe foshnjet pati një ndikim të madh tek unë dhe ndryshoi qëndrimin tim ndaj Sirisë dhe Asadit.Nuk është i besueshëm versioni i Rusisë” tha ai.Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të besojnë se qeveria siriane është përgjegjëse për sulmin me armë kimike.

Në Kombet e Bashkuara, ambasadorja e presidentit Donald Trump, Nikky Haley, kërcënoi se Shtetet e Bashkuara do të ndërmerrnin veprime të njëanshme nëse bota nuk vepron.“Kur Kombet e Bashkuara vazhdimisht dështojnë në detyrën e tyre për të vepruar kolektivisht, ka raste në jetën e shteteve, kur detyrohemi të ndërmarrim vetë veprime,” deklaroi ambasadorja Haley.

Ajo foli në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit, ku u debatua rreth një rezolute që dënonte përdorimin e armëve kimike në Siri.

Rusia, e cila ka të drejtën e vetos, është shprehur kundër rezolutës.Udhëheqësit dhe zyrtarët në vendet e tjera, duke përfshirë Britaninë dhe Izraelin, u bashkuan me SHBA-në duke thënë se përgjegjësia binte mbi forcat e Asadit.

Edhe Turqia ka paralajmëruar Rusinë dhe Iranin se kjo është një shkelje e rëndë që kërcënon armëpushimin.Një zyrtar i ShBA tha se analiza e radarëve dhe vlerësime të tjera tregojnë se në kohën e sulmit në zonë fluturonin avionë sirianë.Uashingtoni ende nuk ka arritur në përfundimin se çfarë lloji armësh kimike ishin përdorur.