Rajon & Botë

Rusia shënon rekord të viktimave dhe rasteve me COVID-19

Rusia ka regjistruar shifra rekorde të të vdekurve dhe infeksioneve me koronavirus për herë të dytë brenda më pak se një jave.

Gjatë 24 orëve të kaluara, në këtë shtet u regjistruan 25.487 raste të reja, duke e çuar në mbi 2 milionë e 187 mijë shifrën e përgjithshme të të prekurve, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 524 të vdekur, që është shifra më e lartë prej fillimit të pandemisë. Numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 38.062.

Kjo ishte hera e dytë nga e shtuna që Rusia regjistroi rekord të rasteve dhe viktimave të koronavirusit për 24 orë.

Pavarësisht rritjes së rasteve, të cilat presidenti Putin javën e kaluar i përshkroi si alarmuese, Rusia nuk ka vendosur për izolim si në disa shtete evropiane.

Autoritetet në shumë rajone kanë kërkuar përdorim të maskave në vende publike dhe e kanë kufizuar numrin e punëtorëve në zyra, por nuk kanë marrë vendim për izolim të rreptë në shtëpi.