Rajon & Botë

Samitet diplomatike, javë vendimtare për Sirinë

Siria pret nisjen e një jave kritike aktiviteti diplomatik, që mund të vendosë të ardhmen e saj.

Dy samite të veçanta do të zhvillohen këtë javë dhe pritet që të ushtrojnë presion të madh mbi palët, për t’i dhënë fund luftës civile dhe për të krijuar një Kushtetutë të re, që sipas gjasave e lë në pushtet presidentin Bashar al-Assad.

Shteti islamik është dërrmuar dhe opozita demokratike siriane po tërhiqet, prandaj, 3 fuqitë rajonale Rusia, Irani dhe Turqia do të takohen të mërkurën në Soci për të diskutuar si të eliminojnë armiqësitë dhe të hartojnë një marrëveshje politike.

Në të njëjtën ditë, por shumë kilometra larg, 30 grupe rivale të Assadit do të takohen në Rijad, në Arabinë Saudite, për bisedime treditore që kanë si qëllim formimin e një ekipi të gjerë negociues pa nisur bisedimet e paqes në Gjenevë.

Rusia, e cila ka një avantazh të madh ushtarak në Siri, duket se dëshiron që të anashkalojë procesin e OKB-së dhe të përqëndrohet te një zgjidhje e arritur me garantuesit e tjerë rajonalë, Turqinë dhe Iranin.

Ndërsa samiti i 30 grupeve anti-Assad në Rijad duket shumë kaotik për të nxjerrë konkluzione, samiti i Socit është shumë më i thjeshtë dhe kërkesat janë në tryezë. Irani kërkon të mbajë ushtrinë në Siri, Turqia kërkon dobësim e kurdëve në Siri, ndërsa Rusisë i takon detyra të ruajë ekuilibrin mes palëve për të vënë emrin e saj në marrëveshjen për paqen, nëse do të ketë një të tillë.

Vazhdimisht, OKB-ja i ka kujtuar Vladimir Putinit se i duhet legjitimiteti i OKB-së për t’i dhënë fund luftës, por edhe mbështetja e opozitës politike siriane për të parandaluar vazhdimin e konfliktit, por samiti i Socit i përjashton të dy këta elementë.