Rajon & Botë

Së paku 50 të vdekur dhe dy milionë të prekur nga vërshimet në Indi

Të paktën 50 persona kanë vdekur dhe mbi dy milionë janë prekur nga vërshimet e mëdha që e kanë përfshirë rajonin verilindor indian, Asam.

Reshjet e mëdha të shiut kanë bërë që mijëra fshatra të vërshohen nga uji. Autoritetet kanë ngritur qindra kampe për t’i strehuar personat e zhvendosur, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Vërshimet gjatë sezonit të reshjeve janë mjaft të zakonshme në Indi, por këtë vit e goditën vendin në kohën e shtimit të rasteve të koronavirusit.

Të martën, zyrtarët thanë se disa pjesë të një parku kombëtar, që është nën mbrojtjen e UNESCO-s, janë vërshuar nga uji dhe së paku 51 kafshë të egra kanë ngordhur. Zyrtarët arritën t’i shpëtonin 102 kafshë.

Mediet lokale kanë raportuar se autoritetet i kanë dërguar 100 barka në rajonin e prekur. Përpos kësaj, janë ndërtuar 480 kampe në 20 distrikte, ku mund të strehohen përkohësisht më shumë se 60,000 persona.

Uji i vërshimeve i ka marrë rrugët, shtëpitë dhe ndërtesat e tjera në disa pjesë të rajonit që çdo vit goditet nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut.