Aktuale

Sekuestrohen 107 kg kanabis sativa në Përmet

Policia e Shqipërisë ka sekuestruar një sasi prej 107 kg kanabis në fshatin Limar, në sajë të operacionit të koduar me të njëjtin emër.

Lënda narkotike është gjetur në vendin e quajtur “Ferra e Kuqe”, në një ambient të hapur, në afërsi të fshatit Limar, Këlcyrë, nga shërbimet e policisë u gjetën disa thasë, brenda të cilëve kishte kanabis sativa. Pesha totale e lëndës ishte 107 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore filloi procedimi penal në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Limar, P.K, 35 vjeç për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe moskallëzim krimi. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim dy persona.