Aktuale

Shala: Komisioni për Siguri është unik për FSK-në

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës qëndruan për vizitë deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Fillimisht u mbajt takimi i përbashkët i Komisionit Parlamentar dhe udhëheqësve të FSK-së, ku u bë prezantimi i të arriturave, aktiviteteve si dhe planeve për të ardhmen e gjithashtu nga ana e deputetëve u shtruan pyetje si dhe u diskutua për sfidat dhe angazhimet që duhet të ndërmerren për hapjen e mundësive të reja për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.

Nikoqiri i takimit, zëvendësministri Agim Çeku në hapje të takimit u shpreh se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i mirë ndërmjet Ministrisë për FSK-në dhe Komisionit përkatës Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së kanë qenë të mira në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Republikës dhe kjo formë e bashkëpunimit dhe koordinimit garanton efikasitet dhe perspektivë të gjithanshme.

Zëvendësministri Çeku gjithashtu tha se FSK-ja është ndërtuar mbi bazën e parimeve: standarde evropiane, FSK-ja i nënshtrohet kontrollit civil dhe demokratik, transparencë dhe llogaridhënia, multietniciteti dhe barazia gjinore.

Zëvendësministri Agim Çeku tha se Ministria dhe FSK-ja janë në pritje të vendimit politik dhe jemi të gatshëm që me punën e pakursyer të MFSK/FSK ta lehtësojmë marrjen e këtij vendimi.

Nga ana e tij, kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, deputeti Haxhi Shala u shpreh se si Komisioni është shumë unik rreth FSK-së, pra nuk ka dallim ndërmjet pozitës dhe opozitës sa i përket FSK-së.

Më pas deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar, Zoran Mojsiloviq, Fatmir Xhelili e Xhelal Sveçla u shprehën të gatshëm për rishikimin e procedurave ligjore, sidomos të fushës së prokurimit publik etj. si dhe shtruan një varg pyetjesh lidhur me zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së. Nga ana e tij, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama u shpreh i gatshëm për të dhënë informacion të nevojshëm dhe për të qartësuar dhe familjarizuar më tepër deputetët me sfidat, preokupimet dhe planet e FSK-së për të ardhmen. Gjeneral Rama u shpreh qartë se FSK-ja si një forcë profesionale dhe multientike i përket gjithë popullit të Kosovës, është në shërbim dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim. Sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, zotëri Shkelzen Sylaj u fokusua kryesisht mbi procedurat ligjore dhe administrative, pastaj buxhetin e Ministrisë dhe FSK-së, duke vënë theksin e veçantë tek procedurat e prokurimit publik që për MFSK-në po paraqesin vështirësi.

Në takim ishte i pranishëm edhe atasheu amerikan i Mbrojtjes pranë Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, kolonel Jaffry Fischer i cili u fokusua në koordinimin e FSK-së me shtetet me të cilat ka marrëdhënie bilaterale si dhe në koordinimin dhe bashkëpunimin e mirë që ka FSK-ja me partnerët strategjikë dhe bilateralë. Më pas, krerët e FSK-së dhe deputetët vazhduan vizitën në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së ku u pritën nga komandanti i Komandës së Forcës Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe komandanti i QSU-së, kapiten Vegim Kelani. Në QSU, deputetët u njoftuan me misionin, detyrat dhe kushtet e shkollës së kadetëve të FSK-së prej ku dalin oficerë të ardhshëm të Kosovës./KosovaPress/