Aktuale

Shala thotë se qytetarët duhet të paguajnë vetëm 70% të faturës së energjisë

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, thotë se qytetarët duhet të paguajnë vetëm 70 % të faturës së energjisë elektrike, pasiqë atyre po u faturohet edhe pagesa për veriun e vendit.

“Llogaritet prej 22 deri në 30 për qind shkon në faturë të qytetarëve të Kosovës dhe ne kemi kërkuar që qytetarët të paguajnë vetëm 70% të shumës së faturuar, kurse pjesën tjetër ta paguajnë shpenzuesit serbë”, tha Shala në një intervistë për televizionin publik të Kosovës.

Shala tha se për këtë problem si KMLDNJ i janë drejtuar edhe kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili sipas tij ka premtuar zgjidhje të këtij problemi.

“Llogaritet që shuma e faturave për konsumatorët joserbë është ngarkuar me 25-30% të shpenzimeve të serbëve që nënkupton se nëse shuma e faturës ka qenë 100 E ,25-30 euro janë para për shpenzimet e serbëve hiç këtu edhe faturat e fryra, manipulimi me njehsorë sikur edhe keqpërdorimi i skajshëm i tarifave , gjë që edhe është dëshmuar me fakte”, tha ai.

Shala tha se është duke paguar vetëm 70 për qind të faturës. “Nëse me vjen 100 euro fatura, unë paguaj vetëm 70 euro. Është vendim i Gjykatës dhe e respektoj atë. Unë veproj si qytetar i Kosovës”, tha ai.