Sport

Shaqiri: Jam shumë krenar dhe shumë i lumtur që iu bashkova Lyonit

Xherdan Shaqiri ka thënë se ndihet shumë krenar dhe shumë i lumtur që iu bashkua Lyonit dhe se mezi pret ta nisë aventurën e re në Ligue 1.

Shaqiri iu bashkua të hënën Lyonit nga Liverpooli për një shumë rreth 11 milionë euro, duke i përfshirë edhe bonuset, raporton Gazeta Express.

Në bisedën e tij të parë si lojtar i Lyonit, përfaqësuesi i Zvicrës i lindur në Kosovë tha se kalimi në Groupama Stadium e bën të ndihet krenar.

“Ndihem shumë krenar dhe shumë i lumtur, sepse më në fund e nënshkrova kontratën. Tani jam zyrtarisht lojtar i Lyonit”, tha Shaqiri për uebsajtin e klubit.

29-vjeçari nënshkroi kontratë trivjeçare me klubin e Ligue 1, ku besohet se do t’i përfitojë nga 4 milionë euro në vit.

“Mezi pres t’ia filloj me këtë ekip dhe ta zbuloj klubin. Stadiumi është i mrekullueshëm. E parafytyroj të mbushur plot. Do të jetë e jashtëzakonshme”, shtoi ai.

Shaqiri i zhvilloi 63 ndeshje për Liverpoolin, të cilit i ishte bashkuar më 2018 nga Stoke City për 15 milionë euro. Por lëndimet luajtën rol të madh për të mos e lejuar atë ta ketë një vazhdimësi të dëshiruar në Anfield.

29-vjeçari e shijoi një Kampionat Evropian mahnitës Euro 2020 këtë verë, duke i ndihmuar Zvicrës ta arrijë një çerekfinale historike me tri gola të shënuara.

Pas Euro 2020, Shaqiri i kishte kërkuar Liverpoolit ta lejonte të largohej.

Kjo do të jetë liga e katërt e madhe evropiane që Shaqiri do të luajë, pasi në të kaluarën luajti për Bayern Munich në Bundesligë dhe Interin në Serie A. /Gazeta Express/