AktualeRajon & Botë

SHBA i thotë ”po” Suedisë dhe Finlandës në NATO

Senati amerikan ratifikoi të mërkurën hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO, duke mbështetur fuqishëm zgjerimin e aleancës transatlantike përballë pushtimit rus të Ukrainës.

Senati votoi me 95 vota pro pranimit të dy vendeve nordike, duke i bërë Shtetet e Bashkuara vendin e 23’të nga 30 anëtaret e NATO-s që e kanë miratuar zyrtarisht deri më tani këtë kërkesë.

30 anëtarët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut duhet të bien dakord nëse Finlanda dhe Suedia, partnerë prej një kohe të gjatë të aleancës do pranohen.

Sipas një liste të NATO-s, Republika Çeke, Greqia, Hungaria, Portugalia, Sllovakia, Spanja dhe Turqia ende nuk kanë rënë dakord zyrtarisht për hyrjen e tyre.

Por në fakt vetëm Turqia ka paraqitur një sfidë, duke kërkuar disa lëshime nga Finlanda dhe Suedia për të mbështetur anëtarësimin e tyre.

Ankaraja ka kërkuar ekstradimin e dhjetëra kundërshtarëve të qeverisë që ajo i etiketon “terroristë” nga të dy vendet në këmbim të mbështetjes së saj. Turqia tha më 21 korrik se një komitet i posaçëm do të takohet me zyrtarët finlandezë dhe suedezë në gusht për të vlerësuar nëse të dy vendet janë në përputhje me kushtet e saj.