Rajon & Botë

Shënohet rasti i parë i transmetimit të koronavirusit nga personi i vdekur

Një pjesëtar i stafit mjekësor në Tajlandë ka vdekur pasi u infektua me koronavirus nga një person i vdekur, besojnë shkencëtarët.

Punëtori i forenzikës ishte infektuar në Bangkok në atë që besohet se është rasti i parë i këtillë në botë.

Hulumtuesit kanë paralajmëruar përmes një letre të publikuar në revistën për Forenzikë dhe Mjekësi Ligjore se punëtorët e forenzikës duhet të mbrohen nga infektimi që mund të vijë nga trupat e pajetë.

Organizatat shëndetësore, përfshirë OBSh-në, kanë bërë thirrje që personat që merren me trupat e pajetë të jenë të kujdesshmë, sepse ende nuk dihet plotësisht se si transmetohet virusi i ri.

“Profesionistët e forenzikës duhet të veshin rroba mbrojtëse, doreza, syze mbrojtëse dhe maskë. Procedura e dezinfektimit që zbatohet në dhomat e operacionit mund të përdoret edhe në repartin e forenzikës”, thuhet në këtë letër.

Nga stafi kërkohet kujdes i veçantë sidomos nga kontakti i mundshëm me lëngjët trupore të viktimave.

Tajlanda deri më tani i ka raportuar 2,613 raste të infektimit me koronavirus dhe 34 viktima, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

the authorGazetaKNN