Aktuale

Shërbimi sekret rus kryen sulm kibernetik ndaj OPCW, reagon BE-ja

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, nëpërmjet një deklarate kanë reaguar për sulmin kibernetik të kryer nga shërbimi ushtarak rus ndaj Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se gjatë muajit prill, zyrat e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) janë vënë nën shënjestrën e një sulmi kibernetik i kryer nga shërbimi sekret ushtarak rus (GRU) dhe se ky operacion është penguar nga shërbimet e inteligjencës holandeze në partneritet me Mbretërinë e Bashkuar.

Përveç kësaj, qeveria e Britanisë së Madhe ka bërë të ditur se ka identifikuar një numër sulmesh kibernetike e që thotë se janë kryer nga shërbimi sekret i inteligjencës ushtarake ruse (GRU), shkruan në deklaratë.

“Ne shprehim shqetësime serioze në lidhje më këtë përpjekje për të minuar integritetin e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), me seli në Holandë. Ky akt agresiv demonstron përbuzje karshi kësaj organizate e cila punon për t’i zhdukur armët në mbarë botën e që punon nën mandatin e Kombeve të Bashkuara”, shkruan në faqen zyrtare të Komisionit Europian.

“Ne i dënojmë veprimet e tilla, të cilat shkelin ligjin ndërkombëtarë dhe institucionet ndërkombëtare. BE-ja do të vazhdojë ta forcojë qëndrueshmërinë e institucioneve të saj dhe shteteve anëtare në fushën digjitale”.

the authorBurbuqe Metolli