Aktuale

Shira të rrëmbyeshëm gjatë ditës në Maqedoni

Pjesa veriperëndimore e Maqedonisë, Pollogu dhe Lugina e Shkupit, mëngjesin e sotëm janë përfshirë nga një masë më e madhe e lagësht dhe jostabile e ajrit, që shkakton shira të rrëmbyeshëm të përcjella me vetëtima të rralla.

Siç njofton Enti Hidrometeorologjik, rreth mesditës shiu do të ndalet thuajse në tërë vendin, ndërsa sërish do të intensifikohet pasdite dhe në orët e mbrëmjes, sidomos në pjesët lindore dhe juglindore.

Temperatura e mëngjesit do të sillet prej 3 deri 11, ndërsa maksimalja e ditës prej 17 deri 22 gradë Celsius. Në Shkup mot i ngjashëm, me shi të kohëpaskohshëm dhe erë nga juglindja. Temperatura minimale do të jetë 8, ndërsa maksimalja 19 gradë.

Gjatë javës së ardhshme do të sundojë mot i ndryshueshëm i vranët me shira më të shpeshtë, por me intensitet më të dobët. Temperaturat e ditës do të shënojnë rënie të vogël.