Aktuale

Shkatërrohet grupi kriminal i kanabisit në Tiranë, kërkohen “peshqit e mëdhenj” (FOTO)

Një grup kriminal në fushën e kultivimit të kanabisit është shkatërruar nga policia e Tiranës, ku në pranga kanë përfunduar 4 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Operacioni i koduar “Fagu” u finalizua nga efektivët e komisariatit numër 4, të cilët asgjësuan rreth 7 mijë bimë kanabisi dhe sekuestruan dy armë zjarri automatike.

Në pranga ranë, 16-vjeçari me inicialet D.N. Pasha Muça 25 vjeç, Elsion Almeta 19 vjeç dhe Ervis Muça 21 vjeç të gjithë me banim në Tiranë. Sipas deklarimeve të tyre, ata janë thjesht punëtorë të cilët janë paguar për të kultivuar kanabisin nga dy personat e shpallur në kërkim: F.A 21 vjeç dhe A.A 47 vjeç.

Lënda narkotike ishte mbjellë në zonën e fshatit Fag, në pyllin e Panecit, ku janë gjetur të kultivuara 600 bimë në një parcelë si dhe 6280 degë Cannabis Sattiva, në proces tharje të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Gjithashtu janë gjetur rreth 27 kg kanabis.

Ata do të hetohen më tej nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale “Kultivim i bimëve  narkotike”, “Shitje dhe shpërndarje  narkotikësh”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të municioneve dhe armëve luftarake” dhe “Organizim dhe drejtim i organizatave Kriminale”. /Gazeta Express/