AktualeKuriozitete

Shkencëtarët ”ringjallin” derrat e ngordhur

Shkencëtarët njoftuan se kanë rivendosur qarkullimin e gjakut dhe funksionin e qelizave nëpër trupat e derrave të ngordhur për një orë, në një zbulim që ekspertët thonë se mund të nënkuptojë se ne duhet të përditësojmë vetë përkufizimin e vdekjes.

Zbulimi ngjalli shpresa për një sërë përdorimesh të ardhshme mjekësore te njerëzit, të cilat mund të ndihmojnë organet të qëndrojnë më gjatë, duke shpëtuar potencialisht jetën e mijëra njerëzve në mbarë botën që kanë nevojë për transplantime.

Megjithatë, mund të nxisë gjithashtu debatin rreth etikës së procedurave të tilla, veçanërisht pasi disa nga derrat në dukje të ngordhur i befasuan shkencëtarët duke bërë lëvizje të papritura të kokës gjatë eksperimentit.

Ekipi me bazë në SHBA mahniti komunitetin shkencor në vitin 2019, duke arritur të rivendoste funksionin e qelizave në trurin e derrave disa orë pasi u ishte prerë koka.

Për hulumtimin e fundit, të publikuar në revistën Nature, ekipi u përpoq ta zgjeronte këtë teknikë në të gjithë trupin. Ata shkaktuan një atak në zemër te derrat e anestezuar, gjë që ndaloi rrjedhjen e gjakut nëpër trupa.

Kjo i privon qelizat e trupit nga oksigjeni,dhe pa oksigjen qelizat te gjitarët vdesin. Më pas, shkencëtarët pompuan trupat me një lëng që përmban gjakun e vetë derrave, si dhe një formë sintetike të hemoglobinës – proteina që mbart oksigjenin në qelizat e kuqe të gjakut – dhe ilaçe që mbrojnë qelizat dhe parandalojnë mpiksjen e gjakut.

Gjaku filloi të qarkullonte përsëri dhe shumë qeliza filluan të funksionojnë, duke përfshirë organet vitale si zemra, mëlçia dhe veshka, për gjashtë orët e ardhshme të eksperimentit.

“Këto qeliza funksionuan disa orë pasi nuk duhej të kishin funksionuar, duke na treguar kështu se shkatërrimi i qelizave mund të ndalet,” u tha gazetarëve Nenad Sestan, autori i lartë i studimit dhe një studiues në Universitetin Yale.