Rajon & Botë

Shkencëtarët zbulojnë në Grenlandë lumin 1600 kilometra të gjatë

Shkencëtarët besojnë se nën shtresën e akullit në Grenlandë rrjedh një lumë, i cili është më i gjatë se 1600 kilometra.

Ky ishull e ka tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e shkencëtarëve, të cilët po përpiqen ta zbulojnë botën e fshehur nën shtresën e akullit.

Ekspertët e dy universiteteve thonë se e kanë gjetur një lumë nën shtresën e akullit. Ata besojnë se uji i këtij lumi buron nga thellësia e ishullit dhe derdhet në Oqeanin Atlantik.

Shkencëtarët nga Universiteti i Hokkaido-s në Japoni dhe nga Universiteti i Oslo-s në Norvegji, i përdorën të dhënat e radarëve për ta analizuar lartësinë e sipërfaqes gurore nën shtresën e akullit për të krijuar një pamje kompjuterike të një vije të mundshme tokësore.

Ajo që zbuluan ishte një luginë e gjatë me ujë, i cili rrjedh në drejtim të bregdetit të ishullit. Këto të dhëna ndikuan që shkencëtarët të besojnë se e kanë zbuluar një lumë të gjatë me ujë të rrjedhshëm.

Duke e emërtuar “Lumi i Errët”, për shkak se pjesa më e madhe e ujit nuk i ekspozohet dritës, hulumtuesit thanë se nevojitet më shumë punë për ta vërtetuar ekzistimin e këtij lumi. Gjetjet e tyre ata i publikuan gjatë një takimi të Shoqatës Amerikane të gjeofizikanëve, shkruan  “Independent”, transmeton Gazeta Express.