Arsim & Kulturë

Shkolla Verore 2021 fuqizon edhe bashkëpunimet e unioneve studentore të universiteteve pjesëmarrëse

Suksesi i organizimit të Shkollës Verore 2021 në Kolegjin AAB, padyshim duhet t’ i atribuohet edhe angazhimit të Unionit të Studentëve të Kolegjit AAB, në zhvillimin e këtij aktiviteti.

Kjo nismë që mblodhi studentë nga AAB, Universiteti “Isa Boletini”, Universiteti i Tetovës nga Maqedonia e Veriut, dhe Universiteti Metropolitan nga Shqipëria, fuqizoi edhe më shumë bashkëpunimin e unioneve studentore të universiteteve pjesëmarrëse.

Kësisoj, në kuadër të zhvillimit të Shkollës Verore 2021, kryetarja e Unionit të Studentëve të Kolegjit AAB, Gentiana Uruqi, pati edhe një takim pune me kryetarin e Parlamentit Studentor të Universitetit Metropolitan të Tiranës, Reinder Broqaj. Me këtë rast u diskutua për formën e bashkëpunimit të këtyre organizatave studentore dhe fillimin e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta.

Kryetarja e studentëve të AAB-së, Gentiana Uruqi, theksoi se Shkolla Verore 2021 është edhe një dëshmi shtesë se në AAB nuk mungon asnjëherë përkrahja dhe organizimet që ndikojnë në ngritjen e aftësive profesionale të çdo studenti.

Pjesëmarrësit e Shkollës Verore 2021, krahas agjendës akademike patën mundësinë të vizitojnë edhe disa vende me rëndësi kulturore për vendin, si qytetin antik Ulpiana në Graçanicë, Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë e Muzeun e Kristaleve në Mitrovicë.