Arsim & Kulturë

Shokon BBC: Pak kohë para se të vdiste, Nëna Terezë i ishte nënshtruar ekzorcizmit

Pushtimi nga djajtë është njëra nga gjërat që na shkojnë në mendje, kur flitet për dukuritë paranormale, megjithatë ka shumë fakte, që nuk i keni ditur për këtë dukuri rrëqethëse, transmeton gazeta Kosova Sot.

Kisha Katolike i ka ekzorcistët zyrtarë nëpër botë

Përveç një sërë Shoqatash Ndërkombëtare të Ekzorcistëve, Kisha Katolike ka marrëdhënie edhe më të afërta me pushtimet nga djajtë. Kisha ka të paktën 10 ekzorcistë zyrtarë, të cilët janë të shpërndarë gjithandej nëpër botë dhe i raportojnë Kishës për ‘aventurat’ e tyre. Michael Cuneo, sociolog në Universitetin e Fordamit, ka thënë që kisha ka raportuar për shenja të ekzorcizmit, që janë identike me ato që paraqiten në filmat e Hollivudit.

Doktori që beson në pushtimin nga djajtë

Gjërat fillojnë të bëhen më të komplikuara dhe më të frikshme në të njëjtën kohë, kur shkenca fillon ta aprovojë faktin që dukuritë paranormale, në fakt, ekzistojnë. Dr. Richard Gallagher, psikiatër dhe këshilltar për ekzorcizëm, këtë vit ka shkruar një artikull në “The Washington Post”, ku ka treguar për eksperiencat e tij me ekzorcizëm. Ai ka thënë që, ndonëse nuk ka parë djallin duke dalë nga trupi i njeriut, ai ka parë mjaft elemente paranormale, sa për të besuar në pushtimin nga djajtë.

Nëna Terezë ka qenë subjekt i ekzorcizmit

Sipas BBC-së, pak kohë para se të vdiste, Nëna Terezë i ishte nënshtruar ekzorcizmit. Kur ishte në moshën 87-vjeçare, ajo ishte dërguar në spital për shkak të problemeve me zemrën, ku kishte filluar të kishte probleme të mëdha me gjumin, që, për një peshkop të afërt me të, ishte shenjë e pushtimit nga djajtë. Si rrjedhojë, ai kishte ftuar një ekzorcist, i cili kishte lexuar disa lutje dhe ajo më në fund kishte fjetur. Natyrisht, këtu po flitet për një ekzorcizëm të lehtë.

Ekzorcizmi mund të jetë fatal

Ekzorcizmi është shndërruar në një dukuri të zakonshme nëpër botë, megjithatë, përkundër numrit të madh të njerëzve, të cilët pretendojnë që dinë të bëjnë ekzorcizëm, është e rëndësishme të tregohet kujdes i shtuar sa herë që provohet një gjë e tillë, pasi që ky proces mund të jetë fatal. Në fakt, një numër i madh njerëzish, të cilët, me ose pa të drejtë, janë cilësuar si persona të pushtuar nga djajtë, kanë vdekur gjatë procesit të ekzorcizmit.

Shumëllojshmëria e pushtimeve nga djajtë

Siç mund ta keni ditur, nuk ekziston vetëm një lloj i pushtimit nga djajtë. Ndonëse tregimi i zakonshëm është që djalli futet në trup, gjërat që ndryshojnë nga rasti në rast është forma e djallit, që futet në trupin e viktimës së vet. Shumica e këtyre djajve janë të padukshëm, ndonëse, në një sërë rastesh është raportuar për pushtime nga djajtë me formë njeriu.