Aktuale

Shpejtim Bulliqi: Komisionit për matjen e territorit iu largua anëtari më profesional!

Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi ka reaguar menjëherë pas dorëheqjes së Fitim Humollit, i cili ishte anëtarë i Komisionit për Matje të territorit, përcjellë GazetaBlic.

Bulliqi ka thënë se Humolli ka qenë njëri nga anëtaret më të mirë dhe njohësi më i mirë i kësaj lamie.

“Një mund të them se ky ka qenë ndoshta prej anëtarëve më të mirë dhe njohësi ma i mirë i asaj lamie edhe për faktin që ka punuar 8 vite në kadastrën e Kosovës, në Agjencinë Kadastrës të Kosovës dhe është njëri prej njerëzve jashtëzakonisht të mirë të kësaj fushe, të kësaj problematike për mos me thanë që është njëri prej krijuesve të bazës së kadastrit të Kosovës” ka thënë Bulliqi.

Bulliqi ka thënë se me siguri Humolli ka parë shkelje të forta, përcjellë GazetaBlic.

“Me siguri ai ka pasur arsye shumë të forta, ka pa shkelje të forta nga ana e këtij komisioni dhe për këtë arsye me siguri ka ardhur deri te dorëheqja e tij” ka përfunduar Bulliqi.

Ndërsa Humolli, i cili edhe zyrtarisht e bëri publike dorëheqjen, e ka cilësuar si joprofesional dhe i bërë për konsum politik komisionin qeveritar për matjen e territorit.

Në dorëheqjen e tij, ai ka thënë se kadastra nuk duhet të jetë kriter për definimin e kufirit shtetëror, aq më tepër që përmes këtij kriteri Kosova “humb territor të konsideruar”.

Gazeta Blic nga burime të besueshme ka marrë vesh se pos Fitim Humollit, nga Komisioni për matjen e Territorit të Kosovës kanë dhënë dorëheqje edhe dy anëtarë të tjerë. Ata sipas burimeve të Gazetës Blic janë Agron Luta edhe Faruk Bojaxhi.