Aktuale

Shqipëri-Situata në spitalin Infektiv: 88 pacientë në spital, 12 pacientë janë në terapi intensive, 4 të intubuar

Ministria e Shëndetësisë tha se vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv dhe situata paraqitet shumë serioze.

Aktualisht janë të shtruar 88 pacientë në spital, 12 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë.

 

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një vajzë e re 21 vjeçare, e cila ndodhej në terapi intensive e intubuar, si pasojë e simptomave të rënda të Covid19. Gjendja e saj u rendua në mënyrë të menjëherëshme si pasojë e tromboembolisë fulminante dhe pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, e reja që vuante nga sindromi metabolik, nuk ka arritur të mbijetojë.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit e kanë humbur betejën me sëmundjen edhe një qytetare 49 vjeçare nga Kruja, e intubuar në gjendje të rëndë prej 11 ditësh dhe dy qytetarë, 56 dhe 67 vjeç, nga Tirana të intubuar, të cilët nuk e kanë fituar dot betejen me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mëdha qe po bën stafi mjekësor.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore./Top Channel/

the authorGazetaKNN