Sport

Shqipëria e Kosova nuk i gëzohen përballjes mes vete

Përfaqësuesja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë te femrat, kanë rënë në një grup, në kuadër të fazës së parë të eliminatoreve për Botërorin 2019

Trajnerët dhe lojtaret nuk e kanë dashur këtë përballje – mes motrave shqiptare. Thonë se do të sjellë emocione pa fund. Kosova është në ndërtim e sipër të ekipit, ndërkohë që ka dhënë shumë lojtarë për ndërtimin e ekipit të Shqipërisë.

Ajo që patjetër do të ndodhte një ditë, ka ndodhur të enjten. Kosova e Shqipëria do të përballen mes vete në terrenin sportiv. Një pjesë e madhe e adhuruesve shqiptarë të sportit, me dëshirë do të shmangte përballjet mes shqiptarëve, përkatësisht përballjet e Kosovës e Shqipërisë, shkruan KD. Një pjesë i sheh si përballje të zakonshme, e dikush mezi i ka pritur për të parë nivelin e vërtetë të sportit në Kosovë e Shqipëri.

Do të jenë futbollistet seniore të Kosovës e Shqipërisë që në muajin prill, diku në Shqipëri, do të përballen mes vete, në ndeshjen e parë mes dy ekipeve në sportet ekipore, të paktën në nivelin senior. Ndeshja do t’i takojë fazës së parë eliminatore për botërorin e vitit 2019. Shorti është tërhequr të enjten në Nyon të Zvicrës, në selinë e UEFA-s.