Aktuale

Shqipëria, me infrastrukturë turistike me 4 dhe 5 yje

Shqipëria do të fillojë të ketë projektet e para për një infrastrukturë turistike me 4 dhe 5 yje.

Në mbledhjen e zhvilluar në qarkun e Dibrës, Këshilli i Ministrave mori një vendim të rëndësishëm për nxitjen e turizmit. Vendimi, sipas Kryeministrit Edi Rama, synon të krijojë kushtet që “përveç zhvillimit të mëtejshëm të turizmit të masës, për të cilin kërkesa është çdo vit në rritje, të kemi edhe një infrastrukturë me 4 dhe 5 yje, duke synuar të fillojmë dhe të ndërtojmë projektet e para”.

“Ne jemi në Dibër, në bazë të zotimit se çdo muaj qeveria do të spostohet në një qark të vendit, për të parë nga afër problematikat dhe për të diskutuar drejtpërdrejt në disa nivele, qoftë me njerëzit që punojnë në administratën qendrore në rajon, qoftë me njerëzit në komunitete”, tha Rama.

Kryeministri informoi se nesër po nga Dibra, do të bëhet prezantimi i projektit përfundimtar të Rrugës së Arbërit, tani që është përzgjedhur edhe kompania dhe Ministria e Infrastrukturës është në negociata për firmosjen përfundimtare të kontratës, duke garantuar financimin dhe mosndërprerjen deri në fund të punimeve për këtë rrugë, që për 27 vite me radhë është harruar”.

Ky është zotim madhor për një aks që në këndvështrimin tonë nuk i takon thjesht Dibrës, tha Rama. Me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, Dibra, sipas kreut të qeverisë, bëhet de facto pjesë e metropolit dhe krijohet një mundësi e madhe për zhvillimin ekonomik e social dhe integrimin e plotë të bashkësive me qendër Tiranën, por me shtrirje drejt Durrësit dhe Dibrës. Sipas kryeministrit, ky është një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm kombëtar edhe në funksion të lidhjes me pjesën matanë kufirit, për të cilën kanë filluar diskutimet me qeverinë maqedonase.

the authorE B